Partia Demokratike e Kosovës do të thërrasë mbledhjen e Këshillit Drejtues në ditët në vijim për të marrë vendimet për veprimet e ardhshme për zgjedhjen e presidentit, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku u dhanë 34 ditë shtesë për të zgjedhur të parin e vendit dhe u shfuqizua dekreti i Vjosa Osmanit.
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, pas mbledhjes mbi dy orëshe të kryesisë, tha se do të respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses.
Çitaku: Do të thërrasim mbledhjen e Këshillit Drejtues për të marrë vendimet për presidentin
“Do të thërrasim mbledhjen e Këshillit Drejtues brenda pak ditësh, ku do të diskutojmë për aktualitetin e rëndë politik në Kosovë dhe ku do t’i marrim vendimet për veprimet e ardhshme politike që na presin”, tha ajo.
Sipas saj, respektimi i vendimeve të organit më të lartë juridik në vend nuk ka qenë asnjëherë çështje diskutimi në PDK.
Çitaku: Respektojmë vendimin e Kushtetueses
“PDK-ja respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe besoj se për secilin që ka njohur dhe ndjekur aktivitetin politik të PDK-së, respektimi i vendimeve të gjykatës për neve asnjëherë nuk është çështje diskutimi”, shtoi ajo.
Çitaku nuk pranoi të përgjigjet nëse do t’i rikthehen takimeve me kryeministrin Albin Kurti për presidentin.
Gjykata Kushtetuese më 25 mars ka nxjerrë aktgjykimin ku e ka shpallur të pavlefshëm juridikisht dekretin e presidentes Osmani për të shpërndarë Kuvendin, si dhe ka dhënë afat 34 ditë për zgjedhjen e presidentit.
