Pas raportimeve të disa mediave izraelite se Udhëheqësi Suprem i Iranit mund të ketë mbetur i vrarë gjatë sulmeve të fundit ajrore, ka reaguar zyrtarisht Teherani.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi për ABC News se presidenti iranian Masoud Pezeshkian dhe Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei janë “shëndoshë e mirë” dhe plotësisht të sigurt.
Më herët gjatë ditës, mediat izraelite raportuan se sulmet e koordinuara nga Izraeli dhe SHBA kishin në shënjestër figura të larta të regjimit iranian. Sipas këtyre raportimeve, disa zyrtarë të nivelit të lartë janë eliminuar, por pa u bërë publike identitetet e tyre.
Disa televizione izraelite pretenduan se kishte “tregues” që goditjet mund të kishin qenë fatale për Khamenein, megjithatë nuk u publikua asnjë konfirmim zyrtar apo provë e drejtpërdrejtë.
Reagimi i Teheranit vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa përplasjet ushtarake mes palëve kanë hyrë në një fazë të hapur me rrezik për përshkallëzim të mëtejshëm.
Deri tani nuk ka prova të pavarura që konfirmojnë pretendimet fillestare për vrasjen e Udhëheqësit Suprem, ndërsa deklarata e fundit e autoriteteve iraniane synon të shuajë spekulimet që qarkulluan gjatë orëve të fundit.
Situata mbetet dinamike dhe në zhvillim, me informacione që ndryshojnë me shpejtësi dhe me rajonin në alarm të lartë.
/tiranapost
