Shëndetësi

Kimioterapia mund t’i bëjë qelizat e shëndetshme të gjakut ‘të duken të vjetra’

Barnat për kancerin mund të ndryshojnë ndjeshëm në dëmet gjenetike që shkaktojnë në gjakun e shëndetshëm, kanë zbuluar shkencëtarët, në një studim historik që hap rrugë të reja për të zgjedhur trajtime me më pak efekte anësore të dëmshme afatgjata.

Ky kërkim sugjeron se analiza e ADN-së mund të bëhet një ditë thelbësore për të identifikuar barna që kanë rrezik më të ulët për të shkaktuar pasoja të rënda si tumore sekondare apo dëmtim të organeve, sidomos te fëmijët.

“Ne jemi gjithmonë në kërkim të mënyrave më të mira për të dhënë terapi dhe për të minimizuar efektet anësore të trajtimeve toksike sistemike,” tha sër Mike Stratton, bashkautor i studimit dhe profesor në Institutin Wellcome Sanger në Mbretërinë e Bashkuar.

“Jam shpresëplotë që informacioni gjenomik nga ky dhe studime të ardhshme do të udhëheqë zgjedhjet e kimioterapive dhe përdorimin e tyre në praktikën klinike.”

Rezultatet, të publikuara të martën në revistën Nature Genetics, përfaqësojnë një përpjekje pioniere për të hartuar efektet gjenetike të kimioterapisë sistemike mbi indet normale.

Kanceret shkaktohen nga mutacione në ADN-në e qelizave, të cilat mund të jenë të trashëguara, të nxitura nga faktorë mjedisorë apo të ndodhin në mënyrë të rastësishme. Ky studim thellohet në shkaqet e mundshme gjenetike përse barnat kimioterapeutike rrisin rrezikun e zhvillimit të tumoreve dytësore krahas atij që po trajtohet.

Ekipi kërkimor, që përfshinte anëtarë nga Universiteti i Kembrixhit dhe shërbimi spitalor i tij, sekuencoi gjenomet e qelizave të gjakut nga 23 pacientë të trajtuar me kimioterapi për një sërë kanceresh. Ata krahasuan rezultatet me ato të gjakut nga nëntë persona të shëndetshëm që nuk kishin marrë kurrë kimioterapi.

Shumë, por jo të gjitha, nga 21 barnat e studiuara shkaktuan mutacione dhe plakje të parakohshme në qelizat e shëndetshme të gjakut, zbuluan studiuesit. Një pacient trevjeçar, që po trajtohej për kancer të indit nervor, kishte më shumë mutacione sesa zakonisht gjenden tek të moshuar 80-vjeçarë që nuk kishin marrë kimioterapi ndonjëherë.

Shkencëtarët zbuluan ndryshime të mëdha në ndikimet mutacionale edhe mes barnave kimioterapeutike që dukeshin të ngjashme, si ato që bazohen në metalin e çmuar platini. Ndërsa karboplatina dhe cisplatina shkaktuan nivele shumë të larta mutacionesh, oksaliplatina nuk e bëri këtë.

Kufizimet e studimit përfshinin numrin e vogël të pjesëmarrësve si dhe faktin se u mbulua vetëm një përzgjedhje e caktuar kanceresh dhe barnash kimioterapeutike, theksuan studiuesit. Ata shtuan se nuk mund të adresonin disa faktorë potencialisht të rëndësishëm, si mënyra se si trupi bashkëvepron me barnat.

Megjithatë, kimioterapia sistemike mbetet një “mjet kyç” në luftën kundër kancerit, pavarësisht shfaqjes së terapive të reja të “precizionit”, tha David Scott, drejtor i nismës ndërkombëtare Cancer Grand Challenges.

“Studime si ky janë thelbësore për të ndihmuar shkencëtarët që të përmirësojnë trajtimet për kancerin në të ardhmen, duke i bërë jo vetëm më efektive, por edhe më të sigurta për njerëzit që jetojnë me kancer,” tha Scott, organizata e të cilit financoi punën.

Ky kërkim ngre mundësinë e trajtimeve më të personalizuara, por faktorë të tjerë do të mbeten vendimtarë në zgjedhjen e barnave, tha Alena Pance, lektore e lartë në gjenetikë në Universitetin e Hertfordshire.

“Njohuritë mbi pasojat e plota të kimioterapisë dhe karakteristikat e ndryshme të agjentëve të zbuluara nga ky studim përbëjnë një hap domethënës drejt një qasjeje më të synuar terapeutike,” tha Pance.

“Megjithatë, më e rëndësishmja është që përdorimi i agjentëve të ndryshëm duhet të merret në konsideratë krahas efektivitetit të tyre dhe në kontekstin e sëmundjes, si dhe të sfondit gjenomik të pacientëve individualë.” / Financial Times – Syri.net

Të Ngjashme