Në Kinë, ëndrra e përjetësisë po kthehet në biznes. Start-up-et dhe qendrat kërkimore po investojnë në mënyra për të “tejkaluar kufijtë e natyrës”, nga kapsulat me ekstrakt fara rrushi, deri te spate luksoze në ishuj tropikalë dhe teknologji futuriste si shtypja 3D e organeve dhe ruajtja kriogjenike e trupit.
Një shembull është kompania Lonvi Biosciences në Shenzhen, e cila prodhon “pilula të jetëgjatësisë” nga ekstraktet e farave të rrushit, që sipas studiuesve mund të stimulojnë rigjenerimin e qelizave të plakjes, të paktën tek minjtë. Drejtori i teknologjisë, Lyu Qinghua, deklaron se “në pak vjet askush nuk do të sëmuret më nga kanceri”.
Por Lonvi nuk është e vetmja. SuperiorMed në Chengdu ofron një “spital të jetëgjatësisë” dhe seanca në “ishujt e pavdekësisë”, kurse Immortal Dragons në Singapor punon me ruajtje kriogjenike dhe projektim 3D të organeve, duke i shitur shërbimet e saj klientëve të pasur.
Edhe pse efektiviteti i këtyre trajtimeve nuk është provuar shkencërisht, tregu po rritet. Kinezët e pasur janë gati të investojnë në kremra antiage, suplementë, seanca kriogjenike dhe metoda të tjera për të “mundur kohën”.
Ekspertët paralajmërojnë se, ndonëse aspirata për jetë të gjatë është e vjetër sa historia kineze, që nga Perandori Qin Shi Huangdi dhe eliksiret e tij të rrezikshme, deri tani, këto teknologji mbeten më shumë fantazi se sa realitet. Megjithatë, biznesi i përjetësisë në Kinë po lulëzon, ndërsa njerëzit po shpenzojnë më shumë se kurrë për të fituar disa vite shtesë jetës.
