7
Në një intervistë për BBC Radio 4 – Desert Island Discs, aktorja dhe regjisorja tregoi se u ndoq nga paparacët, iu përgjuan telefonat dhe madje njerëz të panjohur kontrollonin mbeturinat e saj dhe pyesnin dyqanet për të zbuluar se çfarë blinte, në përpjekje për të kuptuar “çfarë diete po mbante”.
“Ishte e tmerrshme. Isha vetëm dhe kisha frikë edhe të flija,” tha aktorja, duke shtuar se fama e papritur ia përmbysi jetën në një kohë kur, siç pranoi, nuk ishte mirë psikologjikisht me trupin e saj.
Aktorja kujtoi se komentet negative për pamjen e saj kishin nisur që në fëmijëri, ndërsa në adoleshencë kishte kaluar periudha dietash të pashëndetshme. Pas publikimit të “Titanic”, ajo u përball me tituj fyes në gazeta dhe revista, si dhe me fotografi të modifikuara pa dijeninë e saj.
“Shikoja kopertinat dhe mendoja: ‘Unë nuk dukem kështu’. Nuk doja që asnjë vajzë e re të mendonte se ai imazh ishte real,” tha ajo.
Fokusi i medias iu rikthye vite më vonë gjatë ndarjes nga regjisori Sam Mendes në vitin 2010, kur ajo u ndoq në New York së bashku me dy fëmijët e saj.
“Ti mbyll gojën, ul kokën dhe vazhdon të ecësh. Mbron fëmijët dhe mbështetesh te miqtë,” tregoi ajo.
Sot, ndërsa bën debutimin si regjisore me filmin Goodbye June, të shkruar nga djali i saj Joe Anders, Wiinslet thotë se industria e filmit ende ka shumë për të ndryshuar në mënyrën se si u flet grave.
“Ato gjëra që më thonë mua, nuk do t’ia thoshin kurrë një regjisori burrë,” tha ajo me humor, duke përmbledhur reagimin e saj të sotëm me dy fjalë: “Hesht.”



ks


