LifeStyle

Kjo është arsyeja pse nuk duhet t’i shkelni asnjëherë buburrecat

Jemi në stinën e verës dhe temperaturat e larta sjellin shtimin e buburrecave në rrugë dhe, për fat të keq, edhe në shtëpi.

Dhe çfarë bëjmë ne? Instinktivisht, shohim një buburrec dhe e shtypim. Por, kjo nuk është zgjidhje sepse këto insekte mbajnë 900 herë peshën e tyre dhe nëse nuk i shkelni me forcë, mund të mos vriten.

“Ato janë insekte me përshtatshmëri ekstreme. Falë ekzoskeletit të tyre të fortë, ata mund të përballojnë forcë të madhe. Ky ekzoskelet është gjithashtu fleksibël, duke i lejuar ata të kalojnë lehtësisht energjinë e tyre në këmbë dhe të vrapojnë. Kjo është edhe arsyeja pse një goditje e thjeshtë me gazetë nuk do t’i vrasë”, tha për ABC entomologu Ryan Smith.

Buburrecat mund të pësojnë lëndime shumë të rënda dhe të mbijetojnë pa ushqim për muaj të tërë, kjo është një nga cilësitë që i bën të pavdekshëm, ndaj spërkatja është një nga zgjidhjet më të mira për t’i zhdukur.

OBSH thekson se buburrecat nuk duhen shtypur për të shmangur problemet shëndetësore, si bakteret që mund të përhapen në mjedis dhe mund të shkaktojnë astmë dhe alergji nëse thithen. Në fakt, salmonela, stafilokokët dhe streptokokët janë disa nga bakteret që mund të shkaktojnë edhe sëmundje të zorrëve si dizenteria, diarreja, kolera dhe ethet tifoide.