Lajme

​Klinika e Psikiatrisë rifillon dhënien e certifikatave mjekësore për leje të armëmbajtjes

Shtatëdhjetë e dy certifikata mjekësore janë dhënë nga Klinika e Psikiatrisë për qytetarët që kanë kërkuar të pajisjen me leje për armëmbajtje. Ky shërbim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është rikthyer në shtator të këtij viti.

Personat e interesuar duhet t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore nga disa profesionistë shëndetësorë.

Detajet e procedurave për pajisjen me këtë certifikatë i tregon drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci.

Kutllovci: Është rritur interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me certifikatë mjekësore për leje për armëmbajtje

“Ne e bëjmë organizimin e vizitave apo kontrolleve mjekësore për certifikata për lejen për armëmbajtje, ditën e martë dhe të mërkurë procesi shkon ashtu që personat që janë të interesuar t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore të lajmërohen në ora 13:00, marrin fletëpagesën dhe pastaj nga ora 14:00 do t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore nga gjashtë profesionistë: specialist i ORL-së, oftamologu, mjeku familjarë, neurologu, psikiatri dhe psikologu. Mirë është duke shkuar si proces, interesimi është duke u rritur edhe kjo mendoj është për pasojë se për një periudhë të gjatë ky shërbim në kuadër të Qendrës Klinike Universitare nuk është ofruar”, thekson Kutllovci.

Dhënia e certifikatës mjekësore për leje të armëmbajtjes po konsiderohet si një mekanizëm i cili ka efekt pozitiv në sigurinë e vendit.

Njohësi i balistikës dhe sigurisë, Xhemajl Ademaj thotë për KosovaPress, se pajisja me këtë certifikatë mjekësore tregon se arma që posedon qytetari është me e kontrollueshme.

Ademaj: Certifikata mjekësore për leje për armëmbajtje e rrit sigurinë

“Çdo kush që tenton ta kryej një krim së pari mendon tek ajo se nuk do të zbulohet, prandaj kur ti e ke armën e evidentuar në disa institucione dhe po e quajmë ‘normal’ me certifikatë të mjekut atëherë e rrit sigurinë se nuk e përdorë kur e dinë se do të zbulohesh… Kjo do ta rrisë efektin në siguri në përdorimin e armëve”, thotë Ademaj.

Nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur se brenda dhjetë muajve kanë iniciuar mbi 1.300 raste për armëmbajtje pa leje.

“Policia e Kosovës në periudhën janar-15 tetor 2024, ka iniciuar 1.333 raste nga neni 366 ‘Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në shkresën e Policisë së Kosovës.

KosovaPress ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme lidhur me numrin e lejeve të lëshuara për armëmbajtje por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk është kthyer asnjë përgjigje.

Konsiderohet se rreth 260 mijë armë pa leje janë në duart e qytetarëve të Kosovës.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh dënim me burgim deri në 10 vjet, ose gjoba deri në 7.500 euro, për armëmbajtje pa leje.