Lajme

KMDLNj: Padia për gjenocid ndaj Serbisë mbetet veç premtim elektoral i Kurtit

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) e ka vlerësuar veçse si premtim elektoral zotimin e kahershëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të shtruar padi për gjenocid ndaj Serbisë.

“LV dhe Albin Kurti patën premtuar se gjatë mandatit që e fituan me shumicë absolute do ta padisin Serbinë për gjenocid kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së fundit 1998 – 1999. Për këtë është rithemeluar e jo themeluar Instituti për Krime Lufte dhe është miratuar Strategjia për Drejtësi Tranzicionale”.

“Kurti tha se Qeveria e Kosovës është duke bërë punë të madhe në përgatitjen e padisë për gjenocid, por shkaku i natyrës së çështjes, përmbajtja është konfidenciale sikur që disa injorantë korruptivë brenda FSK-së u përpoqën që marrëveshjen për furnizim me fasule për FSK-në ta trajtojnë si çështje konfidenciale apo si material i klasifikuar. Arsyetimi i kryeministrit Kurti se njëra ndër arsyet e konfidencialitetit qenka se Serbia ka qëndrim armiqësor, sa është e paqëndrueshme aq është edhe qesharake për faktin se padia e tillë nuk bëhet ndaj shtetit miqësor. E vërteta është se me statusin ndërkombëtar që e ka Kosova, nuk ka të drejtë të bëjë padi të tillë sepse duke mos qenë anëtare e Kombeve të Bashkuara, e ka të pamundur qasjen në gjykatat që trajtojnë padi të tilla. Mundësia që këtë ta bëjë përmes një shteti apo vendi tjetër thuaja është e pamundur shkaku se askush nuk e merr një përgjegjësi të tillë, madje as Shqipëria”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Ky këshill ka vlerësuar se Instituti për Krime Lufte nuk ka kapacitet profesional të merret me padinë për gjenocid.