Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se ndodhet në Beograd për çështjen e lirimit të Mit’hat Llozhanit, ndërsa ka theksuar se ka marrë informata për rrezik të mundshëm ndaj tij.
Përmes një postimi në Facebook, Koci u shpreh se situata është serioze dhe se nuk është i vetmi që duhet të kujdeset për qytetarët e Kosovës.
Ai ftoi ata që, sipas tij, komentojnë dhe ironizojnë në rrjete sociale, të shkojnë në Beograd dhe të përballen me situatën nga afër.
“Jam në Beograd për lirimin e Mit’hat Llozhanit. Kam informata që jam edhe unë i rrezikuar. I ftoj patriotët që flasin e bëjnë hajgare në rrjete sociale – me ardhë këtu me mua. Le ta tregojnë veten. Nuk jam i vetmi që duhet me u kujdesë për qytetarin e Kosovës, apo jo?”, ka deklaruar Koci.
Ai ka shtuar se gjendja e Llozhanit nuk është e mirë dhe se, sipas informacioneve që ka marrë, ai është dërguar në burg në mesin e personave që i ka cilësuar si pjesëtarë të një grupi famëkeq të “Arkanit”. /teve1.info/
