Avokati i shtetasit kosovar Mitehat Llozhani, i arrestuar së fundmi në Serbi, Arianit Koci, ka dhënë detaje lidhur me rrethanat e arrestimit, duke e cilësuar situatën si të papranueshme dhe politikisht të motivuar.
Sipas Kocit, Llozhani ka kaluar shumë herë më parë nëpër Serbi pa asnjë problem dhe nuk ka qenë në asnjë listë arrestimi.
Arrestimi i tij ka ndodhur pasi kishte kaluar kontrollin policor, por më pas është ndaluar nga një ekip tjetër policor, i cili e ka kontrolluar për mjete monetare dhe dokumente personale.
Gjatë kontrollit, sipas Kocit, i është gjetur libreza e veteranit të UÇK-së, çka më pas ka çuar në kontrolle të tjera, përfshirë edhe telefonin e tij.
“Pas kësaj, për të tensionuar situatën dhe për të ushtruar presion ndaj organeve të drejtësisë, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka deklaruar publikisht se është arrestuar një person i dyshuar për krime lufte gjatë viteve 1998-1999”, ka thënë Koci.
Koci ka kritikuar ashpër deklaratat e ministrit Daçiq, duke thënë se ato e rëndojnë procesin dhe krijojnë tension të panevojshëm.
Ai tutje ka theksuar se këto arrestime po shfrytëzohen nga Serbia si mjet presioni politik në raport me zhvillimet gjyqësore që po ndodhin në Kosovë, përfshirë edhe rastin e Banjskës.
Koci ka kërkuar reagim më të fuqishëm institucional nga Qeveria e Kosovës, duke theksuar se shteti ka obligim të mbrojë qytetarët e vet si juridikisht ashtu edhe politikisht.
“Ndoshta si veprim politik do të ishte e nevojshme mbyllja e përkohshme e kufirit Kosovë–Serbi, për disa orë apo 24 orë, në mënyrë që të sensibilizohet çështja dhe të përfshihet edhe faktori ndërkombëtar”, është shprehur ai.
Avokati ka bërë të ditur se ai personalisht po bën maksimumin, por është i kufizuar në veprimet e tij, pasi nuk mund të ushtrojë profesionin e avokatit në Serbi dhe duhet të veprojë përmes një avokati vendor, i cili pritet t’i caktohet Llozhanit sipas detyrës zyrtare.
Koci ka konfirmuar se do të udhëtojë drejt Serbisë, megjithëse nuk do t’i lejohet takimi i drejtpërdrejtë me të ndaluarin.
Sipas tij, takimi do t’i lejohet ambasadorit të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, ndërsa ai do të ndihmojë në koordinim dhe komunikim me avokatin lokal.
Familja e Llozhanit, sipas Kocit, është tejet e shqetësuar, pasi nuk ka pasur pothuajse asnjë komunikim me të.
Koci ka nënvizuar se Llozhani ka pasur vetëm një telefonatë, të cilën e ka realizuar si të drejtë ligjore, duke informuar për situatën përmes zyrtarëve shtetërorë.
“Procedimi penal ka filluar vetëm pasi i është gjetur kartela e veteranit. Gruaja e tij ka deklaruar se ai e ka kaluar këtë pikë kufitare shumë herë, madje edhe 10 ditë më parë, pa asnjë problem”, ka shtuar Koci.
Ai ka theksuar se zakonisht arrestime të tilla ndodhin sa herë që tensionohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Në fund, Koci ka bërë thirrje që organizatat e veteranëve të përmbahen nga deklaratat e hershme lidhur me përfshirjen apo jo të personave në luftë, pasi kjo, sipas tij, mund të dëmtojë mbrojtjen ligjore dhe të komplikojë procesin gjyqësor.