LifeStyle

Kolegë dhe dashuri, si ndikon një marrëdhënie romantike në karrierë?

Të qëndruarit në të njëjtin ambient nuk mund të mos krijohet një afeksion për ndonjë person në veçanti, duke shtuar faktin se ju qëndroni së bashku për 40 orë në javë, apo ndryshe 52 javë në vit.

Kalimi i një kohe kaq të gjatë bën që ju të njiheni më mirë me njërin tjetrin e në kushte që ndoshta në situata të tjera nuk mund të arrinit t’i njihnit.

Por këtu nis dhe dilema, nëse duhet të ketë bashkim të dashurisë dhe punës.

Shumë pyesin, nëse është keq të dilni në një takim me një person që ju punoni.

Disa përgjigjen se është më se normale, të tjerë të cilët priren të mbrojnë karrierën do e refuzonin përzierjen e romancës me punën.

Por si qëndron e vërteta?

Pse ka një stigmë rreth marrëdhënieve midis kolegëve?

Pavarësisht se ku punoni apo çfarë bëni, takimi me një koleg të punës vjen me një stigmë, veçanërisht kur marrëdhënia përfshin një epror dhe një vartës. Sipas psikoterapistes dhe ish-konsulentes së burimeve njerëzore, Madeleine Phelan, këto lloj marrëdhëniesh janë parë tradicionalisht si një mënyrë për të avancuar karrierën tuaj dhe për të marrë trajtim të veçantë në vendin e punës. Kur një partner romantik ka ndikim në vlerësimin e performancës, promovimet ose karrierën tuaj, kjo jo vetëm që krijon një çekuilibër fuqie në marrëdhënie, por edhe pabarazi mes kolegëve. Është e njëanshme dhe joetike.

Marrëdhëniet midis kolegëve gjithashtu mund të turbullojnë linjat midis jetës suaj personale dhe asaj profesionale, sipas Natasha Marie Narkieëicz, një eksperte e shëndetit seksual.

“Kur jeta juaj e dashurisë është e lidhur me punën tuaj, mund të jetë e vështirë të ‘shkëputesh’ mendërisht,” shpjegon ajo.

Për më tepër, dinamika e grupit zakonisht ndryshon nëse dilni me dikë në departamentin tuaj që është në të njëjtin nivel. Bashkëpunëtorët tuaj mund të ndihen të pakëndshëm t’ju besojnë, duke supozuar se do t’i tregoni partnerit tuaj. Sigurisht, ekziston gjithmonë mundësia e një ndarjeje të vështirë, që të prekë jo vetëm ju të dy, por të gjithë ekipin.