Cristiano Ronaldo ka tërhequr sërish vëmendjen në rrjetet sociale, këtë herë duke publikuar disa fotografi të koleksionit të tij mbresëlënës të supermakinave.
Ylli portugez i shoqëroi imazhet në Instagram me përshkrimin e shkurtër: ‘Lodrat e mia’, ndërsa më herët kishte pranuar se nuk mban më llogari të saktë se sa automjete zotëron.
‘Nëse do të duhej të bëja një hamendësim, do të thosha 40 ose 41. Sinqerisht nuk e di. Më pëlqejnë Bugatti-t, janë krejt ndryshe’, është shprehur ai në një intervistë për Piers Morgan. Në koleksionin e publikuar shfaqen disa modele të rralla të Ferrarit, mes tyre Purosangue me vlerë rreth 312 mijë paund, Ferrari 599 GTO mbi 500 mijë paund, Ferrari SP3 Daytona me vlerë rreth 1.73 milionë paund dhe Ferrari Monza SP1, një model shumë i rrallë që në ankande ka arritur çmimin e afro 2.27 milionë paundëve.

Po ashtu, Ronaldo zotëron edhe dy modele Bugatti, një Veyron me vlerë rreth 2 milionë paund dhe një Centodieci, nga i cili janë prodhuar vetëm 10 njësi. Në shkurt të vitit 2025, një Bugatti Centodieci u vlerësua nga RM Sotheby’s me rreth 12.5 milionë paund. Mes automjeteve të tjera që shihen në garazhin e sulmuesit të Al-Nassr janë edhe McLaren Speedtail, që mund të arrijë vlerën e 2.1 milionë paundëve, si dhe Mercedes-AMG One, një hiper-makinë hibride me çmim mbi 2.2 milionë paund.
Ronaldo ka treguar gjithashtu se bleu një Bugatti Tourbillon me vlerë 3.2 milionë paund si investim dhe jo për kënaqësi personale. Koleksioni i tij përfshin edhe një Mercedes G-Wagon Brabus me vlerë 600 mijë paund, dhuratë nga partnerja Georgina Rodriguez, një Mercedes-Benz S65 AMG, McLaren MP4-12C, Lamborghini Aventador, Bentley Flying Spur, Bentley Continental GT, Lamborghini Urus dhe një Chevrolet Camaro, që përdoret nga familja.

Rodriguez i ka dhuruar gjithashtu një Rolls-Royce Daën me vlerë rreth 500 mijë paund, duke iu shtuar dy Rolls-Royce-ve të tjerë që Ronaldo kishte tashmë. Ylli 41-vjeçar, i cili në vitin 2025 u bë futbollisti i parë miliarder, po shijon pushimet verore përpara rikthimit te Al-Nassr dhe sipas raportimeve, pritet të martohet me Georgina Rodriguez në javët e ardhshme.
