Lajme

Komandanti i KFOR-it: Zgjidhja e sfidave të sigurisë Kosovë-Serbi nuk është ushtarake, por politike

Komandanti i ri i KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani, ka folur së fundmi për situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe për procesin e dialogut me Serbinë.

Barduani ndër të tjera është shprehur se zgjidhja e sfidave të sigurisë nuk është ushtarake, por politike.

“Gjithashtu i bëj thirrje të dyja palëve, institucioneve në Kosovë dhe Qeverisë së Serbisë, që të angazhohen në dialog politik. Zgjidhja e sfidave të sigurisë nuk është në fund të fundit ushtarake, por politike. Zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura përmes dialogut është çelësi për të garantuar siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal”.

Ndër të tjera, ai theksoi se në botë, situata e sigurisë po evoluon dhe po përkeqësohet me shpejtësi dhe gjithashtu, sipas tij as rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk është i përjashtuar nga ky evolucion.

“Sa i përket sigurisë, në bazë të përvojave të mia të mëparshme, mund të them se gjendja e sigurisë në Kosovë në fakt është e përmirësuar në krahasim me të kaluarën. Kjo është arsyeja pse KFOR-i ka reduktuar praninë e tij me kalimin e kohës. Më kujtohet se kontingjenti i KFOR-it fillimisht ishte i përbërë nga rreth 50.000 ushtarë të NATO-s, ndërsa sot numri i trupave është rreth 4.500”, – tha ai për Radio Kfor.