Komediani Bill Cosby është shpallur përgjegjës nga një juri civile në Kalifornia për drogimin dhe sulmin seksual ndaj një gruaje në vitin 1972, duke u urdhëruar t’i paguajë asaj 19.25 milionë dollarë dëmshpërblim.
Vendimi u mor pas një gjyqi që zgjati rreth dy javë në Santa Monica. Juria e shpalli Cosbyn fajtor për abuzim seksual ndaj Donna Motsinger, e cila në padinë e saj të ngritur në vitin 2023 deklaroi se ai e kishte ftuar në një shfaqje, i kishte dhënë verë dhe dy pilula (që ajo besonte se ishin aspirina) dhe më pas kishte humbur ndjenjat.
Gjykata i akordoi asaj 17.5 milionë dollarë për dëmet e kaluara dhe 1.75 milionë dollarë për dëmet e ardhshme, të cilat përfshijnë vuajtje mendore, ankth, poshtërim dhe stres emocional.
Avokatët e Cosbyt e kundërshtuan vendimin, duke e cilësuar të pabazuar dhe njoftuan se do të paraqesin ankesë, duke argumentuar se akuzat mbështeten kryesisht në supozime dhe se paditësja nuk ka kujtesë të qartë për ngjarjen.
Ky rast vjen rreth pesë vite pasi Cosby u lirua nga burgu në Pennsylvania, pasi Gjykata Supreme e atij shteti anuloi një dënim të mëparshëm penal për akuza të ngjashme.
Rasti i Motsinger është një ndër shumë akuzat ndaj Cosbyt, i cili është përballur me pretendime për abuzim nga të paktën 60 gra ndër vite, akuza që ai i ka mohuar vazhdimisht.
