Lajme

​Komercialja dënon me rreth 550 mijë euro “Sigal” për dëmin e pa siguruar

Gjykata Komerciale e Kosovës ka obliguar kompaninë e sigurimeve “Sigal” që të paguajë 548 mijë euro, pavarësisht se kjo kompani kishte ofruar zero euro për disa dëme materiale që mund të vinin nga procese natyrore sikurse rrëshqitja e dheut.

Në dokumentet që ka siguruar Gazeta Infokus shihet se Gjykata Komerciale ka urdhëruar “Sigal Uniqa Group Austria” të paguajë dëmshpërblim ndaj “Eurokos Holding”, edhe pse në policën e sigurimit ishte shënuar qartë se rrëshqitja e dheut dhe fatkeqësi të ngjashme nuk mbuloheshin financiarisht.

“Pranohet pjesërisht kërkesëpadia e paditësit Eurokos Holding, e datës 20 janar 2022, ndaj të paditurës Shoqëria e Sigurimit SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA, me seli në Prishtinë. Obligohet e paditura që paditësit t’i paguajë shumën prej 548 mijë e 168 euro me kamatë ligjore, prej ditës së padisë, deri në pagesën përfundimtare, si dhe shpenzimet procedurale në shumën prej 3 mijë e 500 euro”, thuhet në vendim.

Rasti lidhet me dëmet e shkaktuara gjatë ndërtimit të hidrocentralit “Lepenc 3”, ku ndodhi rrëshqitje dheu që solli dëme të konsiderueshme materiale. “Eurokos Holding” dhe “Hidroenergji” kërkuan kompensim nga kompania e sigurimeve, duke pretenduar se policat e lidhura garantonin mbulim për këto rreziqe. Dokumenti i policës së sigurimit përfshinte një listë të gjerë rreziqesh si zjarri, përmbytjet, tërmetet, madje edhe rrëshqitjet e dheut. Megjithatë, pranë këtij të fundit dhe disa rreziqeve të tjera ishte vendosur shuma zero euro mbulim, një formulim kontraktual që në praktikën e sigurimeve do të thotë se ato rreziqe nuk mbulohen.

“Zjarri, vjedhja, tërmeti, vullkani, përmbytja, stuhia, inondacioni, vandalizmi, cunami… rrëshqitja e tokës etj. Shumat e sigurimit/ për disa prej rreziqeve të sipërpërmendura (p.sh. rrëshqitja e dheut, shembja, përmbytja e jashtëzakonshme), është specifikuar shuma zero euro, që do të thotë se për këto nuk ofrohet kompensim financiar në rast dëmi.”, thuhet në dokumentin e policës së sigurisë për të cilën ishin marrë vesh “Sigal” me “Eurokos Holding”.

Gjykata Komerciale vendosi të aprovojë pjesërisht kërkesën e “Eurokos Holding”, duke e detyruar siguruesin të paguajë mbi gjysmë milion euro për dëmet materiale të provuara. Infokus ka kontaktuar Gjykatën Komerciale për të marrë qëndrimin e tyre rreth këtij vendimi. Në reagimin e parë gjykata ka deklaruar se nuk jep sqarime për vendime gjyqësore, pasi sipas tyre “ato janë të pakontestueshme”.

“Sqarojmë se në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë e saj, gjykata nuk është e obliguar të jep sqarime individuale për vendime tashmë të arsyetuara dhe të publikuara. Çdo informacion i nevojshëm mund të gjendet në tekstin e plotë të aktgjykimit. Në rast se ekzistojnë pretendime për ndonjë kompetencë ligjore që do të kërkonte përgjigje shtesë nga gjykata, jemi të hapur të shqyrtojmë çfarëdo kërkese që bazohet në mënyrë të qartë në dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigje.

Mirëpo kur Infokusi ka kërkuar sqarime pikërisht për ‘kompetenca ligjore’ se ku është bazuar gjykata për të marrë këtë vendim, nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje, pavarësisht se është kontaktuar disa herë. Infokus ka kontaktuar edhe kompaninë e sigurimeve “Sigal”, e cila ka njoftuar se është duke u marrë me këtë çështje në aspektin institucional.

“Ju njoftojmë se e konfirmojmë që në këtë çështje kompania jonë Sigal është palë e paditur. Megjithatë, duke qenë se bëhet fjalë për një çështje ende të hapur dhe të diskutueshme në rrugë procedurale, përfshirë edhe aspektin e ankesës së ngritur kundër gjyqtares së rastit, ne në këtë fazë nuk mund të japim përgjigje konkrete lidhur me pyetjet tuaja. Dëshirojmë të theksojmë se mosdhënia e përgjigjeve nuk është për shkak të mungesës së vullnetit për bashkëpunim me mediat , por për shkak të rrethanave të veçanta që lidhen me procesin në fjalë”, kanë deklaruar nga “Sigal”.

Nga “Sigal” kanë konfirmuar për Infokus se tashmë kanë kërkuar që ndaj gjyqtares së rastit Verona Dibra, të iniciohet procedurë disiplinore, por kjo nuk është pranuar nga kryetari i gjykatës.

“Po, kemi ushtruar ankesë pranë Avokatit të Popullit dhe njëkohësisht kemi kërkuar që rasti të përcillet te kryetari i Gjykatës Komerciale me qëllim që të ndërmerren masa disiplinore, konkretisht largimi nga puna ndaj gjyqtares Verona Dibra. Pas kësaj kërkese, kemi pranuar një vendim nga kryetari i gjykatës, me të cilin është refuzuar kërkesa jonë për masë disiplinore ndaj gjyqtares. Pas refuzimit të kësaj kërkese, përmes Avokatit të Popullit kemi kërkuar që lënda të dërgohet për shqyrtim në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ku përveç gjyqtares, tani kërkesa për masë disiplinore përfshin edhe Kryetarin e Gjykatës Komerciale”, kanë deklaruar nga kompania e sigurimeve.

E përveç ndaj gjyqtares kësaj here është kërkuar të merren masat e njëjta edhe ndaj kryetarit të gjykatës, transmeton KosovaPress.