Lajme

Komisioneria Marta Kos reagon pas deklaratave skandaloze të ministres serbe: Jam e tronditur, pres …

Deklaratat e fundit të Ministres serbe Snezhana Paunoviç për spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët kanë shkaktuar reagime të forta në Bruksel. Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, i ka cilësuar ato si të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

Në një prononcim për gazetarët nga Kosova, në Bruksel, Kos tha se është e tronditur që në ditët e sotme ende duhet të dëgjohen deklarata të tilla.

“Mund të ketë vetëm zero tolerancë për deklarata të tilla çfarë kemi dëgjuar. Dhe nuk ka vend në Evropë për retorikën që justifikon, avokon apo glorifikon pastrimin etnik. Unë jam personalisht e tronditur se kjo fare duhet të thuhet në këtë situatë. Deklarata të tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat dhe dinjitetin njerëzor, pajtimin e nevojshëm, llogaridhënien dhe raportet e mira ndërfqinjësore mbi të cilat themelet është ndërtuar BE-ja dhe pa të cilat procesi i anëtarësimit nuk mund të ndodhë”, u shpreh komisionerja Kos.

Ajo tha se dëshiron të besojë se deklaratat e ministres serbe janë një qëndrim personal dhe jo një pozicion zyrtar i Qeverisë së Serbisë.

“Këto janë edhe në kundërshtim me obligimet e Serbisë nga dialogu i lehtësuar nga BE për normalizimin e raporteve me Kosovën. Unë vetëm mund të supozoj se këto janë qëndrime të një ministreje dhe nuk paraqesin qëndrimin e qeverisë së Serbisë. Presim nga liderët politikë që të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe të kontribuojnë për ndërtimin e besimit, pajtimit dhe stabilitetit në rajon”, deklaroi Marta Kos.

Reagimi i komisioneres për Zgjerim vjen në një kohë kur Brukseli ka përsëritur se respektimi i fqinjësisë së mirë, pajtimi dhe distancimi nga retorika nxitëse mbeten kushte themelore për procesin e integrimit evropian.

Të Ngjashme