BBV

Komisioni i përbashkët për të pagjeturit, dyshime për zbatimin nga Serbia

Kosova dhe Serbia janë dakorduar në Bruksel që të funksionalizojnë Komisionin e Përbashkët për Personat e Pagjetur nga lufta në Kosovë, pas një diskutimi të gjatë ndërmjet kryenegociatorëve të dy vendeve. Megjithatë, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave që merren me çështjen e të zhdukurve shprehin skepticizëm të thellë se Serbia do t’i zbatojë marrëveshjet e arritura, duke e akuzuar për zvarritje dhe instrumentalizim politik të kësaj çështjeje humane.

Ata që merren drejtpërdrejt me çështjen e personave të pagjetur në Kosovë shprehin skepticizëm të thellë se Serbia do t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, shteti serb vazhdon ta instrumentalizojë çështjen e personave të zhdukur për qëllime politike, duke shtuar se kërkesat e palës kosovare vështirë se mund të përmbushen nga Serbia.

“Elementet në ato arkiva që përmbajnë informacione për fshehjen e kufomave nuk do të dorëzohen, sepse besoj se motivi pas kësaj është se, nëse dorëzohen, atëherë do të ngrihet çështja e përgjegjësisë penale”, theksoi Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Edhe në Këshillin Koordinues për të Zhdukurit dhe Krimet e Luftës në Kosovë thonë se Serbia, ashtu si për më shumë se dy dekada, do të vazhdojë avazin e vjetër të zvarritjes së procesit të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.

“Për çdo marrëveshje që kemi bërë kemi qenë skeptikë dhe, ashtu siç kemi qenë skeptikë, ashtu ka rezultuar edhe puna. Në vitin 2023 është arritur marrëveshja e fundit për hapjen e arkivave dhe për rritjen e vigjilencës në zbardhjen e fatit të të zhdukurve, por Serbia ka bllokuar gjithçka”, tha Ahmet Grajqevci nga Këshilli Koordinues për të Zhdukurit dhe Krimet e Luftës në Kosovë.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i cili ishte i pranishëm në Bruksel, tha dje se për tre vjet Serbia kishte refuzuar themelimin e këtij komisioni, pavarësisht se ishte njohur me kërkesat e palës kosovare.

Në mesin e kërkesave që Kosova i ka drejtuar Serbisë janë zbatimi i plotë i Deklaratës për Personat e Zhdukur, përfshirë qasjen në arkivat e klasifikuara, trajtimi i kërkesës zyrtare për arkivat drejtuar presidentit Vuçiq lidhur me komandën e shpërbërë të Brigadës së Motorizuar 37 të ish-Ushtrisë Jugosllave, përshpejtimi i punës në lokacionet prioritare dhe zbatimi i zotimeve të dala nga tri takimet e Grupit Punues, në veçanti në Batajnicë.

Komisioni i përbashkët për personat e pagjetur është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, për të cilën u pajtuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në vitin 2023.

Të Ngjashme