Lajme

Komisioni për Siguri kërkon sqarime me shkrim për vizitën e Listës Studentore

Vizita e përfaqësuesve të Listës Studentore të Serbisë në Kosovë ka arritur në Kuvend. Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes vendosi të martën t’i kërkojë ministrit të Punëve të Brendshme informatë me shkrim për mënyrën se si delegacioni hyri dhe qëndroi në vend.

“Nuk kemi njoftim zyrtar”

Nënkryetari i komisionit, Fadil Hadërgjonaj, ngriti shqetësimin se nuk ka asnjë informacion apo njoftim zyrtar nga institucionet përkatëse nëse vizita ishte e autorizuar. Ai kërkoi sqarime edhe për procedurat e ndjekura dhe për mekanizmat që monitorojnë vizita të tilla.

Kryetari i komisionit, Mefail Bajqinovci, tha se pret që ministri i Brendshëm ose ai i Jashtëm të dalin me informacion për këtë çështje. Ai shtoi se përfaqësuesit e Listës Studentore ende nuk përfaqësojnë politikën zyrtare të Serbisë, sepse nuk kanë marrë pushtetin.

Ramadani: Provokim i rëndë

Anëtari i komisionit dhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, e ka cilësuar vizitën “provokim i rëndë i serbëve nga Serbia, duhet të qartësohet si hynë në Kosovë”.

Ramadani tha se përkatësia politike e vizitorëve nuk ka rëndësi. Sipas tij, asnjë politikan nga Serbia nuk duhet të lejohet të hyjë në Kosovë për të provokuar apo fyer shtetin. Ai e përshëndeti vendimin e komisionit për të kërkuar informatë me shkrim nga ministri i Brendshëm. Ramadani shtoi se saktësia e këtij informimi duhet të jetë e plotë dhe se llogaridhënia e Qeverisë është e domosdoshme.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në një përgjigje për TV Dukagjinin, ka thënë se nuk ka pranuar kërkesë për vizitë zyrtare dhe se përfaqësuesit e Listës Studentore kanë hyrë si qytetarë të zakonshëm, pasi ende nuk mbajnë funksione shtetërore.

Të Ngjashme