Komuna e Drenasit ka thënë se miratimi i vendimit në Kuvendin Komunal për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të disa pronave, është mundësi për dhënie në shfrytëzim dhe se pronat nuk i janë dhënë askujt.
Seanca e Kuvendit ku në rend dite ishte edhe kjo pikë, u përcoll me kundërshtime nga opozita.
Sot, Kuvendi i Drenasit ka ofruar mundësi për dhënien në shfrytëzim të 51 pronave, nuk i ka dhënë askujt asnjë pronë komunale. Në pajtim me procedurat, Kryetari i Komunës së Drenasit ka propozuar në Kuvendin e Drenasit dhe me shumicën e votave të asamblistëve, është miratuar Lista paraprake e pronave të paluajtshme për dhënien në shfrytëzim afatgjatë për personat fizik dhe juridik, në pajtim me Ligjin nr. 06/l-092 për Dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës. Komuna e Drenasit, ndjen për obligim të sqarojë qytetarët e Komunës së Drenasit, mediat dhe gjithë të interesuarit tjerë se janë keq informuar nga mediat të cilat kanë cituar disa anëtarë të Kuvendit sikur gjoja komuna sot “ka dhënë në shfrytëzim 51 prona për 99 vite”, thuhet ndër tjera në sqarimin e komunës.
Sipas listës ishin paraparë të ofrohen në shërbim 54 prona, por që në fund u arrit pajtimi që tri të hiqen. Pas kësaj vendimi kalojë me 17 vota për, 12 kundër dhe një abstenim.