Lajme

Konfiskohen rreth 100 kilogramë drogë, arrestohen dy persona

Në një operacion të koordinuar nga Policia e Kosovës, konkretisht nga Drejtoria e Antidrogës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, janë arrestuar dy persona të dyshuar dhe është gjetur një sasi e konsiderueshme droge.

Operacioni, i koduar “Kalaja”, u realizua në një qendër tregtare në rrugën Magjistrale Pejë-Deçan, ku pas arrestimeve, policia vazhdoi me bastisje në fshatin Raushiq të Pejës.

“Pas kryerjes së arrestimeve është vazhduar me bastisje dhe deri në këtë fazë në fshatin Raushiq të Pejës janë gjetur rreth 100 kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë, sasi kjo në gjendje të ndryshme, disa prej tyre e gatshme dhe tjerat në formë të bimëve duke u terur e cila është sekuestruar. Bimët kanë qenë të kultivuara në oborrin e një fermë në afërsi të një shtëpie në fshatin Raushiq dhe sasia e tyre është 213 bimë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Kosovës, nën dyshimet e ngritura, operacionin policor e ka vazhduar me bastisje/kontroll edhe në fshatin Barilevë të Prishtinës, ku poashtu është gjet një sasi e vogël si substancë e dyshuar narkotike.

Po ashtu janë sekuestruar edhe 4 vetura të ndryshme si mjete të veprës penale.

Në vendin e ngjarjes kanë dal prokurori kompetent, si dhe forenzika e PK-së për procedura tjera të nevojshme.

Rasti mbetet të hetohet nga njësitet kompetente të antidrogës dhe Prokuroria Themelore në Pejë.