Lajme

Konjufca dhe Hargreaves diskutuan për vazhdim të bashkëpunimit dhe sigurinë

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës Glauk Konjufca, takoi Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Në takimin njoftues pas formimit të qeverisë së re, Ambasadori Hargreaves e uroi Zëvendëskryeministrin Konjufca për mandatin e ri dhe rikonfirmoi përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për bashkëpunim të ngushtë me Republikën e Kosovës.

“Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si dhe për zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Republika e Kosovës mbetet mirënjohëse për partneritetin e qëndrueshëm dhe mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar” thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Në takim thuhet se palët riafirmuan qëndrimet e përbashkëta në mbështetje të Ukrainës dhe kundërshtimin e agresionit rus, si dhe theksuan nevojën për koordinim të vazhdueshëm në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.

Ndërsa, ambasadori britanik tha se me Konjufcën biseduan për partneritetin e fortë ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës, si dhe për angazhimin tonë të përbashkët për sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.

“Mezi pres të punojmë ngushtë së bashku, teksa thellojmë bashkëpunimin dhe mbështesim përparimin e vazhdueshëm të Kosovës në reforma dhe në rrugën e saj Euro-Atlantike”, shkroi Hargreaves.

Të Ngjashme