Lajme

​Konjufca dhe Spiropali mohojnë ngrirjen e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur në takim homologen nga Shqipëria, Elisa Spiropali. Të dy ata kanë mohuar që ka ngrirje të raporteve mes të dyja vendeve, duke theksuar se po vazhdojnë me bashkëpunimin mes institucioneve. Spiropali u shpreh se Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë, për çka shtoi se do të ketë dritë në fund të tunelit për Kosovën në procesin e dialogut.

Kryeparlamentari Konjufca tha se qytetarët e Kosovës nuk e shohin Shqipërinë si shtet fqinj, por si shtet amë.

Konjufca: Marrëdhënien me Shqipërinë e shohim përtej raporteve tona ndërshtetërore

“Kuvendet tona respektive kanë përgjegjësinë më të madhe të përafrimit politik e institucional të vendeve tona. Në këtë kontekst, me kënaqësi mund të them se bashkëpunimi parlamentar në mes Kosovës dhe Shqipërisë në të gjitha format dhe në të gjitha segmentet, qoftë në kabinetet, komisionet parlamentare, administratave, shkëmbimit të përvojave legjislative ka shkuar duke u rritur gjithnjë e më shumë gjatë viteve. Si Republikë e Kosovës, marrëdhënien me Shqipërinë e shohim përtej raporteve tona ndërshtetërore. Më shumë e shohim si raport me vetveten. Shumica e kosovarëve nuk i referohen Shqipërisë si shteti fqinj. Po ta pyesni një kosovar kur të niset për Shqipëri ‘ku je nis, ku po shkon’, nuk ma merr mendja që thotë po shkoj në një shtet fqinj. Por thotë ‘po shkoj në shteti amë’”, tha Konjufca.

Konjufca theksoi se në takim me homologen shqiptare diskutuan të gjitha mundësitë që të shfrytëzohen, për çka shtoi se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë.

E kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, për të cilën është vizita e parë jashtë vendit në këtë pozitë, tha se Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë.

Spiropali: Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë

“Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë. Për Shqipërinë dhe Kosovën, bashkëpunimi është një prioritet i pandashëm. Është një binom stabilizues dhe orientues për të nesërmen tonë por edhe për të gjithë rajonin. Me kryetarin Konjufca ndamë të njëjtën bindje që ne si kryetarë të parlamenteve të ju sugjerojmë qeverive tona një konkretizim më të detajuar të partneritetit strategjik e gjithëpërfshirës duke bërë atë një model inkurajues për bashkëpunimin rajonal ndërshqiptar e më gjerë. Dy parlamentet tona por edhe parlamentarët shqiptarë në rajon, kanë potencialin patriotik dhe politik, detyrimin kushtetues, historik dhe moral që të bëhen edhe më shumë promotor të integrimit dhe të mirëkuptimit rajonal”, tha ajo.

Shqipëria dënon ashpër, siç shtoi ajo, çdo sulm të orkestruar e armatosur kundër Policisë së Kosovës, KFOR-it e mediave në veri të vendit. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë theksoi se autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtyre akteve duhet të mbajnë përgjegjësi.

Spiropali: Në fund të tunelit do të ketë një dritë

“Në këtë kuadër është dialogu Kosovë-Serbi në koordinim të plotë me partnerët tanë të përbashkët strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, duhet të ketë me doemos si rezultat nënshkrimin e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore që mundëson njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian si dhe trajtimin e drejtë të minoriteteve konform kushtetutës. Ky është një proces i gjatë dhe shpesh ngjan si një labirint i mundimshëm që kyçet në tunel. Por, pavarësisht të gjithave, herët a vonë në fund të tunelit do të ketë me doemos një dritë që do të dëshmojë realitetin e pakthyeshëm gjeopolitik, Republikën më të re evropiane të Kosovës”, shtoi Spiropali.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka mohuar që kryeministri në Kosovë e ai në Shqipëri kanë raporte të ngrira mes vete.

Konjufca: Zonja Spiropali nuk ka ardhur për të shkrirë asgjë

“Unë nuk mendoj që asnjëherë ne kemi pasur ndonjë një ngrirje mes Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës. Ne si përfaqësues të institucioneve gjithmonë kemi qenë në nivelin e detyrë, mundësisht për ta transmetuar një ndjenjë, e cila është shumë e thjesht dhe është mes popujve tonë, kjo është ndjenja e dashurisë, e vëllazërisë, një ndjenjë shumë e afërt të cilën mund ta ketë një popull mes vete. Kështu kanë vepruar unë mendoj edhe qeveritë dhe nëse ju dëshironi që ndonjë një mos pajtim eventual të kryeministrave apo të qeverive ta paraqisni si diçka që reflekton marrëdhëniet e dy shteteve, unë mendoj që kjo nuk qëndron fare…Zonja Spiropali nuk ka ardhur për të shkrirë kurrgjë, me sa po e shoh. Ajo ka ardhur për të vazhduar atë që ka ekzistuar gjithmonë, një marrëdhënie shumë e mirë mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.

Edhe kryeparlamentarja nga Shqipëria tha se bashkëpunimi mes institucioneve të të dyja vendeve është reflektim i marrëdhënies vëllazërore.