Lajme

Konjufca ironizoi me termin “frizerkat”, Mustafa: Një përfaqësues shteti s’duhet të përdorë këtë gjuhë

Në emisionin Këndi i Debate në Tëvë1 është diskutuar deklarata e Glauk Konjufca gjatë një takimi me qytetarë, ku ai përdori termin “frizerkat”, deklaratë që ka nxitur reagime dhe komente të shumta në rrjetet sociale.

Videoja ku Konjufca dëgjohet duke thënë “Qyre kur jena te frizerkat” po qarkullon gjerësisht online, ndërsa në debat u diskutua nëse kjo deklaratë ishte ose jo një thumbim ndaj ish-presidentes Vjosa Osmani.

Analisti politik Xhevdet Pozhari tha se deklarata e Konjufcës nuk kishte të bënte me Osmanin dhe se interpretimet në media janë të pasakta.

“Konjufca në deklarimin e tij e tha se ka njerëz që e bëjnë këtë punë të respektuar dhe nuk u përmend asnjëherë emri, qysh po tentohet në media që të nxjerrin zonjën Osmani”, ka deklaruar Pozhari.

Ndërkohë, studiuesi i filozofisë politike Latif Mustafa kritikoi gjuhën e përdorur nga Konjufca, duke thënë se një diskurs i tillë nuk i ka hije një zyrtari të lartë shtetëror.

“Për një person që ka shkruar libër për mendimin e Hegelit dhe edhe tri libra të tjerë, të përdoret ky lloj konteksti ‘frizerka’, unë mendoj që pak ia ka huqur dhe është pak dëshpëruese për mua. Nuk është kjo gjuha e Glauk Konjufcës dhe nuk duhet të ishte, sepse është prezantues i shtetit jashtë Kosovës dhe ministër i Jashtëm në detyrë”, ka thënë Mustafa.

Të Ngjashme