Vendi i tij, ndryshoi prej herës së kaluar.
Madje këtë herë, është ulur në të djathtën e kryeministrit, Albin Kurti.
Glauk Konjufca, në Qeverinë e re, e ka pozitën e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Por, Konjufca nuk do i ketë vetëm këto përgjegjësi.
Siç merr vesh televizioni, ai do të jetë edhe kryenegociatori i ardhshëm i Kosovës për dialog me Serbinë.
Për këtë, Tëvë1 ka kërkuar përgjigje zyrtare edhe prej Qeverisë, por nuk kemi marrë përgjigje.
Njohësi i zhvillimeve politike nga Tirana, Ben Andoni thotë se këto pozita janë të ndryshme nga njëra tjetra.
Andoni, Konjufcën e sheh të duhur për ministër por jo edhe për kryenegociator.
“Unë besoj që zotëri Bislimi duhet të ishte lërë në këtë detyrë sepse kur një njeri e ngreh matricën e bisedimeve ti duhet t’i japësh kohë dhe mbi të gjitha shqiptarët dhe kosovarët nuk e kanë lluksin shumë për infrastrukturë humane, që t’i ndërrojnë në këtë lloj forme. Dhe në këtë sens po them që zotëri Kurti duhet të mbajë zotëri Bislimin për sa i përket dialogut, ndërsa sa i përket politikës së Jashtme jam shpresë plotë që duke e krahasuar me zonjën Gërvalla, Konjufca do të ketë parametra më të lartë” , vlerëson ai.
Të papërvojë në këtë pozitë, Konjufcën e sheh edhe analisti politik, Shemsi Jashari.
Për Jasharin, duhet të ftohen njerëz që kanë marrë pjesë në negociata.
“Si ministër i Jashtëm patjetër që do të ketë një rol të rëndësishëm kur po flasim për marrëdhëniet ndërkombëtare, e sa i përket dialogut mesiguri do të jetë në një formë ose në tjetër i kycur në atë proces, por zakonisht në delegacionet për dialogun për bisedimet me Serbinë duhet të jenë njerëz profesionistë që kanë një përvojë me negociata dhe një memorie institucionale se çfarë ka ndodhur deri tash në ato negociata, deri ku është procesi dhe si menaxhohet ai proces për shkak që është shumë kompleks dhe nuk është thjeshtë një takim formal ku protokollet zbatohen por ka të bëjë shumë më thellë në diskutimet që kanë ndodhë deri tash, procesi që është, zbatimi i atyre marrëveshjeve, ato kleçkat e marrëveshjeve që janë ku ruhen interesat shtetërore e duhet një përvojë bukur e gjatë. Deri më tash, nuk e kemi parë zotëri Konjufcën që ka qenë pjesë e ndonjë ekipi të negociatorëve e që rrjedhimisht nuk ka edhe një përvojë në negociata, por Kosova ka ekipe negociatorësh qysh nga viti 2011 prej kur kanë fillu bisedimet me Serbinë dhe mendoj që do duhej për interes të shtetit, ajo dije e akulumuar pavarësisht që a është pjesë e subjektit politik që udhëheq me vendin do të duhej të përfshihej në mënyrë që Kosova të kishte një përfaqësim sa më të drejtë, sa më të mirë dhe me përfitimin maksimal në marrëveshjen përfundimtare”, thotë Jashari.
Në pozitën e kryenegociatorit të Kosovës për dialog me Serbinë, nga viti 2021 ishte zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.
