Lajme

Konsiderohen alarmante: Dy vrasje e një në tentativë brenda pak ditësh

Brenda vetëm pak ditësh, raste të rënda u regjistruan në Kosovë.

Të enjten, një person tronditi qytetin e Podujevës, duke lënë të plagosur katër persona.

E në Dragash të martën, u ther për vdekje imami i një fshati.

Ndërsa të dielën, në Ferizaj, një person mbeti i vrarë me armë zjarri, siç dyshohet nga një 24-vjeçare.

Të gjitha këto raste brenda një periudhë shumë të shkurtër, po shihen mjaft shqetësuese.

Kështu po vlerëson Muhamet Mujaj, ish-pjesëtar I Policisë së Kosovës.

“Mjafton me pa vetëm një skenë qysh edhe po paraqitet nëpër rrjete sociale dhe krijohet një pasiguri komplet në mesin e qytetarëve. Kjo pasiguri krijohet mandej zingjirë edhe nëpër të gjitha lëmitë e jetës, kështu që nuk është as pamje e mirë as që i kontribuon vendit dhe shoqërisë sonë”, deklaroi Mujaj.

Ish-pjesëtari i Policisë thotë se natyra e këtyre veprave nuk mund të ndalohet krejtësisht.

“Policia në këto raste mundet të bëjë preventivë me patrullime të shpeshta me veprime tjera që janë përgjegjësi e Policisë, por asnjëherë vetëm nëse ka informata qoftë të inteligjencës apo operativës se do të kryhet një krim, ndoshta kish me reagu dhe kriju një preventivë, përndryshe Policia nuk mund t’i ruajë qytetarët veç e veç çdonjërin”, vlerësoi Mujaj.

Se për çka shtynen këta individë të ndërmarrin veprime të tilla, foli psikologu Arbër Zeka.

“Ky është burim i traumave tona të fëmijërisë, që tregon se ne kemi kaluar në disa faza të vështira dhe ato nuk i kemi trajtuar dhe është rezultat i traumave të fëmijërisë që ne i kemi pësuar, traumave ku ne iu kemi ekspozu dhunës, p.sh qysh moti ne si psikolog flasim që ndaj fëmijëve nuk duhet me përdor dhunë dhe dhuna është pjesë sistematike e familjeve tona”, theksoi Zeka.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga janari deri në maj të këtij viti janë shënuar 9 raste të vrasjeve në vend.

Ndërkaq, në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ishin shënuar dy raste më pak, gjithsej 7 vrasje.

Të Ngjashme