Shëndetësi

Konsumimi i tërshërës për vetëm dy ditë mund të ulë ndjeshëm kolesterolin e keq dhe të mbrojë zemrën

Konsumimi i vetëm qullit të tërshërës për dy ditë rresht mund të ulë ndjeshëm kolesterolin “e keq” dhe të përmirësojë shëndetin e zemrës për disa javë, sugjeron një studim i ri shkencor.

Tërshëra prej kohësh lidhet me nivele më të shëndetshme të kolesterolit, por studiuesit tani thonë se efekti pozitiv mund të shfaqet shumë më shpejt sesa mendohej deri më sot.

Ekspertë nga Universiteti i Bonit zbuluan se personat me rrezik të lartë për sëmundje kardiovaskulare panë një ulje prej rreth 10 për qind të kolesterolit LDL – i njohur si kolesteroli “i keq”, i lidhur me rrezik më të lartë për infarkt dhe goditje në tru – pasi ndoqën një dietë të kufizuar në kalori, të përbërë pothuajse tërësisht nga qull tërshëre për vetëm dy ditë.

Roli i fibrës beta-glukan

Tërshëra përmban beta-glukan, një lloj fibre e tretshme që ndihmon në uljen e kolesterolit. Në zorrë, kjo fibër shndërrohet në një substancë xhelatinoze që lidhet me kolesterolin dhe pengon përthithjen e tij në qarkullimin e gjakut.

Deri tani, udhëzimet shëndetësore sugjeronin se të rriturit duhet të konsumonin rreth 3 gramë beta-glukan në ditë – afërsisht një tas tërshëre çdo ditë – për të ulur kolesterolin me 5–10 për qind me kalimin e kohës.

Por gjetjet e reja tregojnë se një “rifillim” i shkurtër dhe intensiv me tërshërë mund të arrijë një efekt të ngjashëm brenda pak ditësh, veçanërisht te personat me sindromë metabolike. Kjo gjendje përfshin obezitetin, tensionin e lartë të gjakut dhe nivelet e rritura të sheqerit në gjak, duke rritur rrezikun për diabet të tipit 2, sëmundje të zemrës dhe goditje në tru.

Efektet pozitive u ruajtën edhe gjashtë javë pas përfundimit të dietës.

Studiuesit përfunduan:

“Një dietë afatshkurtër e bazuar në tërshërë, e përsëritur në intervale të rregullta, mund të jetë një mënyrë e tolerueshme dhe efektive për të mbajtur kolesterolin brenda kufijve normalë dhe për të parandaluar diabetin.”

Si u zhvillua studimi

Studimi, i publikuar në revistën shkencore Nature, analizoi efektet e një diete me tërshërë që zgjati vetëm dy ditë, si dhe një ndërhyrje më të gjatë dietike me më shumë fleksibilitet në ushqim.

Në dietën afatshkurtër morën pjesë 32 persona, të cilët konsumuan vetëm qull tërshëre, të ndarë në tre vakte nga 100 gramë secili. Atë u lejohej të shtonin pak fruta ose perime, por marrja e kalorive ishte rreth gjysma e asaj të zakonshme.

Grupi i kontrollit ndoqi gjithashtu një dietë me kalori të reduktuara, por pa kufizime në llojin e ushqimit.

Të dy grupet përfituan nga kufizimi kalorik, por efektet ishin dukshëm më të forta te grupi që konsumoi vetëm tërshërë.

“Niveli i kolesterolit LDL ra me 10 për qind në këtë grup – një ulje e konsiderueshme,” shpjegoi profesorja Marie-Christine Simon, specialiste e shkencës së ushqimit dhe bashkautore e studimit.

“Ata humbën mesatarisht dy kilogramë në peshë dhe panë gjithashtu një rënie të lehtë të tensionit të gjakut,” shtoi ajo.

Efekte afatgjata dhe mikrobiota e zorrëve

Për të vlerësuar efektet afatgjata, pjesëmarrësit u ndoqën edhe gjashtë javë pas studimit, gjatë së cilës u kthyen në regjimin e tyre normal ushqimor, pa tërshërë.

Rezultatet treguan se konsumimi i tërshërës rriti edhe numrin e baktereve të dobishme në zorrë, përfshirë ato që prodhojnë acid ferulik. Ky përbërës njihet për aftësinë e tij për të ulur kolesterolin duke frenuar një enzimë kyçe në prodhimin e kolesterolit në mëlçi.

Kur kjo enzimë frenohet, mëlçia prodhon më pak kolesterol, duke ulur grumbullimin e yndyrave dhe duke mbrojtur zemrën.

Në pjesën gjashtëjavore të studimit, pjesëmarrësit zëvendësuan një vakt të përditshëm me qull tërshëre (80 gramë), ndërsa grupi i kontrollit vazhdoi dietën e zakonshme pa tërshërë. Kjo ndërhyrje më e gjatë nuk prodhoi ulje të ndjeshme të kolesterolit, duke sugjeruar se dieta afatshkurtër dhe intensive është më efektive.

Studiuesit përfunduan:

“Konsumimi i tërshërës, veçanërisht në doza të larta për një periudhë të shkurtër, ofron përfitime të rëndësishme metabolike dhe hap rrugë të reja për terapi ushqimore të fokusuara te mikrobiota.”

Një sfidë globale për shëndetin

Sëmundjet kardiovaskulare mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në botë, duke përbërë rreth 30 për qind të vdekjeve dhe paaftësive afatgjata globale.

Në Mbretërinë e Bashkuar, mbi gjysma e të rriturve besohet se kanë kolesterol të lartë. Për këtë arsye, Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) u jep statina mbi tetë milionë personave – ilaçe që ulin kolesterolin, por që shpesh duhen marrë për gjithë jetën.

Megjithatë, këto barna nuk janë të përshtatshme për të gjithë, dhe rreth gjysma e pacientëve nuk arrijnë nivele të shëndetshme kolesteroli pas dy vitesh trajtimi, duke theksuar nevojën për strategji dietike efektive dhe afatgjata. 

Të Ngjashme