Një amerikan ndërmori një dietë ekstreme që për tetë muaj përfshinte vetëm mish, gjalpë dhe djathë. Dhe Fundi i këtij eksperimenti ishte, që ai përfundoi në urgjencë me pasoja serioze shëndetësore.
Analizat zbuluan nivele kolesteroli pesë herë më të larta se norma. Mjekët mbetën të tronditur. Pëllëmbët, bërrylat dhe shputat e këmbëve të tij ishin të mbuluara me nyje të verdha të pazakonta. Diagnoza ishte e qartë: ksantelazmë e përgjithësuar, një tregues i grumbullimit të rrezikshëm të lipideve në gjak.
Ai rrëfeu se konsumonte deri në 4 kg djathë në javë, së bashku me shkopinj gjalpi dhe mish të yndyrshëm. Nuk hante aspak fruta, perime apo drithëra, vetëm produkte shtazore. Qëllimet e tij ishin ‘detoksifikimi’, humbja në peshë dhe rritja e energjisë, objektiva që në fillim dukeshin të arritura. Por testet treguan një realitet alarmues: nivele kolesteroli mbi 1000 mg/dL, kur vlera normale është mes 210 dhe 300 mg/dL.
Zakonisht, ksantelazmat shfaqen rreth syve. Por në këtë rast, depozitat lipidike u shfaqën në pjesë të pazakonta të trupit, një tregues i një çrregullimi metabolik serioz.
Mjekët nga qendrat kardiake në Florida dhe Teksas sqarojnë se yndyra e tepërt në gjak mund të ‘rrjedhë’ nga enët e gjakut dhe të depozitohet nën lëkurë, duke krijuar formacione të dukshme.
Pavarësisht disa përfitimeve të pretenduara afatshkurtra, autoritetet shëndetësore amerikane (CDC) paralajmërojnë kundër dietave ekstreme si ajo ‘vetëm mish’, e cila është përhapur përmes rrjeteve sociale dhe influencuesve. Këto dieta përjashtojnë grupet ushqimore thelbësore, si fibrat, antioksidantët dhe vitaminat.
Mjekët theksojnë rëndësinë e një diete të ekuilibruar, e cila duhet të përfshijë:
-Një shumëllojshmëri proteinash
-Fruta dhe perime të freskëta
-Yndyra të shëndetshme
-Karbohidrate komplekse dhe fibra
Ky rast shërben si një kujtesë e fortë se edhe ushqime të njohura si djathi dhe gjalpi, kur konsumohen në sasi të tepruara dhe për një kohë të gjatë, mund të çojnë në pasoja serioze shëndetësore. Syri.net-iefimerida
