Lajme

Kontestohet numri i viktimave nga ekspozita edhe për Llashticë

Në kuadër të reagimeve të shumta ndaj autorit Shkëlzen Gashi dhe organizatorëve të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, ka reaguar edhe një qytetar sa i përket të vrarëve në Llashticë, të prezantuar në këtë ekspozitë.

“Përshembull, në vizitën e fundit te Kryeministrit Kurti në fshatin tim të lindjes, Llashticë, ai përkujtoi 26 civilëve të vrarë e masakruar. Në disa prej burimeve të cilat i kam hasur personalisht, numri varion ndërmjet 26 dhe 27 civilëve të vrarë. Ne ekspozitën e Shkëlzen Gashit, ne shesh te Prishtinës, për masakrën e Llashtices, thuhet se u masakruan 24 civile. 23 prej tyre shqiptarë. Nuk mjafton Shkelzen Gashi me thane burimet e mija, qe unë u besoj thonë se jane 24. Në asnjë variant nuk kanë qenë 24. Kjo ka qene kaq thjesht e verifikueshme. Veç me ardhur deri në Llashticë”, shkruan Arbër Ramadani në Facebook.

Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e vendosur në sheshet e Prishtinës, mbrëmë ka ngjallur reagime të shumta, madje disa qytetarë kanë dal duke fshehur të dhënat e pasakta për viktimat në Burgun e Dubravës dhe ato në Krushën e madhe.

Pasaktësi kishte edhe në materialin për masakrën në Burgun e Dubravës. I mbijetuari i kësaj masakre, Visar Ballovci tha se kishte përjetuar tmerrin përgjatë dy javëve sa kishte ndodhur terrori nga forcat kriminale serbe.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përkatësisht Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës, është duke përcjellë me vëmendje informacionet e publikuara lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila ishte vendosur në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

“Në përputhje me kompetencat ligjore dhe me mandatin e Prokurorit te Shtetit, kjo çështje do t’i nënshtrohet vlerësimit për të përcaktuar nëse përmban elemente të përgjegjësisë penale”, thuhet në reagimin e Prokurorisë Speciale.

Të Ngjashme