Kuriozitete

Koreja e Jugut gjobit Meta-n me rreth 15 milionë dollarë për mbledhjen e të dhënave të përdoruesve

Koreja e Jugut ka kërkuar nga pronari i Facebook, Meta Platforms, të paguajë 15.67 milionë dollarë gjobë pasi zbuloi se kishte mbledhur të dhëna të ndjeshme të përdoruesit dhe ua kishte dhënë reklamuesve pa bazë ligjore, sipas agjencisë të mbrojtjes së të dhënave të Seulit.

Bëhet e ditur se gjiganti i teknologjisë amerikane mori informacion nga rreth 980,000 përdorues të Koresë së Jugut të Facebook për çështje të tilla si feja, pikëpamjet politike dhe seksualiteti, tha në një deklaratë Komisioni për Mbrojtjen e Informacionit Personal.

Sipas agjencisë, informacioni u përdor më pas nga rreth 4,000 reklamues, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

“Konkretisht, është zbuluar se Meta ka analizuar të dhënat e sjelljes së përdoruesve, të tilla si faqet që ata kanë pëlqyer dhe reklamat që ata kanë klikuar në Facebook dhe kanë krijuar dhe menaxhuar tema reklamimi që lidhen me informacione të ndjeshme”, tha komisioni.

Kjo përfshinte kategorizimin e përdoruesve, për shembull, si të larguar nga Koreja e Veriut, duke ndjekur një fe të caktuar, ose duke u identifikuar si një person transgjinor ose homoseksual.

Meta kishte refuzuar gjithashtu në mënyrë të padrejtë një kërkesë të përdoruesve për të hyrë në informacionet personale dhe nuk arriti të parandalonte rrjedhjen e të dhënave për rreth 10 koreano-jugorë nga hakerat, njoftoi agjencia.