Lajme

Kosova 18 vjet shtet, krerët e institucional e vlerësojnë më të fortë se kurrë

Në shënim të 18-vjetorit të pavarësisë, në Prishtinë u organizua pritje shtetërore nga presidentja, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri i Kosovës. Krerët e shtetit vlerësojnë se Kosova sot është më e fortë se kurrë.

Presidentja Vjosa Osmani në fjalën e saj theksoi se 17 Shkurti është datë që simbolizon sakrificën, qëndresën dhe besimin e palëkundur në liri. Osmani vlerësoi gjithashtu rolin e aleatëve ndërkombëtarë në momentet më të vështira për vendin, duke e cilësuar miqësinë me ta si shtyllë të së ardhmes së Kosovës, raporton KosovaPress.

Osmani: Ëndrra për një Kosovë të lirë u ndërtua mbi sakrificën e brezave

“Kjo datë, mbi të gjitha, është kujtesë e rrugëtimit tonë, e sakrificave të panumërta dhe e besimit të palëkundur se liria është e përhershme. Ëndrra për një Kosovë të lirë u ndërtua mbi sakrificën e brezave të tërë. Sot dhe përgjithmonë përulemi para Presidentit historik Ibrahim Rugova, përulemi para secilit dëshmor dhe martir të lirisë, duke e ditur se falë tyre jetojmë në një shtet të lirë. Në momentet më të errëta, populli ynë nuk ishte i vetëm. Aleatët tanë qëndruan pranë nesh dhe miqësia me ta mbetet shtylla më e fuqishme mbi të cilën mbështetet e ardhmja e Kosovës”, u shpreh ajo.

Ajo gjithashtu shtoi se pavarësisht sfidave që ka tejkaluar Kosova, ajo ka ecur përpara duke dëshmuar se rrënjët janë të thella dhe se besimi i qytetarëve është një forcë e madhe.

Osmani: Liria nuk merret si e mirëqenë, por mbrohet çdo ditë

“Është vendi ku të rinjtë po shkëlqejnë në sport, art, teknologji dhe fusha të tjera, duke dëshmuar se fuqia më e madhe qëndron në potencialin e tyre. Kosova është vendi ku çdo qytetar, brenda dhe jashtë kufijve, mban gjallë frymën e saj. Liria këtu nuk merret si e mirëqenë, por ruhet, mbrohet dhe forcohet çdo ditë. Sot mbushim 18 vjet një moshë që simbolizon pjekurinë, përgjegjësinë dhe besimin në të ardhmen që po e ndërtojmë së bashku. Krah për krah me aleatët tanë do të vazhdojmë të ndërtojmë një republikë edhe më të fortë dhe më të begatë për secilin qytetar. Le t’i tregojmë botës se Kosova është një histori që vazhdon të frymëzojë një vend i njerëzve të lirë, i qëndresës dhe i dashurisë së përjetshme”, tha Osmani.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu theksoi se pavarësia është rezultat i një rruge të gjatë e të vështirë, të mbushur me sakrifica dhe përpjekje shekullore për liri e barazi.

Haxhiu: Pavarësia e Kosovës është rezultat i një rruge të gjatë i përkushtimit të një populli të tërë

“Sot, shënojmë një akt historik që përmbledh përpjekjet shekullore të popullit tonë për liri, barazi dhe vetëvendosje. Pavarësia e Kosovës është rezultat i një rruge të gjatë e të vështirë, i sakrificës dhe i përkushtimit të një populli të tërë. Historia e Kosovës është historia e një qëndrese kundër mohimit, kundër padrejtësisë dhe kundër dhunës. Populli i Kosovës u përball me shtypje sistematike, diskriminim dhe dhunë të vazhdueshme. U mohua e drejta për punë, arsim dhe përfaqësim të barabartë. Por asnjëherë nuk u shua aspirata për liri ajo u trashëgua brez pas brezi”, tha Haxhiu.

Ajo përmendi edhe kontributin e figurave të shquara kombëtare si Adem Demaçi, si dhe rolin e rezistencës paqësore të viteve ’90 dhe të luftës çlirimtare të udhëhequr nga UÇK.

Haxhiu: Qëndresa dhe sakrifica që ndërtuan lirinë e Kosovës

“Në ato kohë të errëta, zëri i ndërgjegjes kombëtare u personifikua nga figura të shquara si Adem Demaçi. Diaspora ishte pjesë e pandashme e kësaj qëndrese, duke dëshmuar se lidhja me atdheun nuk njeh kufij. Vitet ’90 shënuan një kapitull të rezistencës shqiptare përmes organizimit shoqëror, institucioneve paralele, protestave popullore dhe lëvizjeve studentore, që dëshmuan pjekurinë politike dhe morale të shoqërisë sonë. E kujtojmë edhe Presidentin Ibrahim Rugova, simbol i legjitimitetit moral dhe përkushtimit për zgjidhje paqësore. Kur dhuna u intensifikua, lindi rezistenca e armatosur për mbijetesë historike – Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në ballë të kësaj lufte qëndron figura emblematike e Adem Jashari, i cili me familjen e tij vendosi themelin e lirisë sonë”, shtoi ajo.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti u shpreh se 18-vjetori i shtetësisë përfaqëson hyrjen në një etapë të re zhvillimi për vendin. Sipas tij, Kosova sot është më e fortë institucionalisht dhe më e përgatitur për reforma të thella dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Kurti: Kosova sot është më e fortë se kurrë dhe e gatshme për rrugëtimin që e pret

“Mosha 18vjeçare shënon pragun e një udhëtimi të ri për vendin tonë mbylljen e një etape dhe hyrjen në një tjetër. Kosova sot është më e fortë se kurrë dhe e gatshme për rrugëtimin që e pret me më shumë përgjegjës dhe vetëbesim…. 17:28.. Në këto 18 vite patëm aktin themelues, për herë të parë, kultura, identiteti dhe të drejtat tona u ndërtuan nga vetë ne. Liria mori infrastrukturën për t’u shndërruar në përparim. Të thuash se historia si komb është histori mbijetese është një tkurrje e padrejtë e së vërtetës. Pavarësisht vështirësive, Kosova mbijetoi pa qenë në gjende mbijetese. Ne mbijetuam me zemër të hapur, duke kërkuar llogaridhënie e jo hakmarrje, duke ndërtuar unitet, bashkëjetesë fetare dhe shumëetnike. Në pothuajse gjithë botën ligji të jep përgjegjësi në moshën 18 vjeçare dhe të jet liri për të vendosur fatin me zotësi të plotë. Mosha 18 vjeçare e gjen Kosovën me stabilitet institucional dhe mbështetje qytetare për të çuar përpara reforma të thella dhe zhvillim të qëndrueshëm”, tha Kurti.

Ndërkaq shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 shkurt 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Të Ngjashme