Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, zhvilloi sot një takim me ministren Mary Creagh nga Departamenti për Mjedis, Ushqim dhe Çështje Rurale të Mbretërisë së Bashkuar.
Në takim, ministrja Pacolli u shoqërua nga Ambasadori i Kosovës në Londër, Ilir Kapiti.
Gjatë takimit u diskutuan sfidat mjedisore dhe u shkëmbyen përvoja në menaxhimin e ujërave dhe mbrojtjen nga vërshimet. Ministrja Pacolli theksoi rëndësinë e avancimit të riciklimit të mbeturinave dhe përdorimit të teknologjisë për monitorimin digjital të parqeve kombëtare, me qëllim rritjen e efikasitetit në mbrojtjen e natyrës.
“U shpreh gatishmëria për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e mjedisit, përmes projekteve konkrete që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në përmbyllje të takimit, ministrja Pacolli i dhuroi ministres Creagh një punim filigrani nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, që pasqyron historinë e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe disa çajra organikë nga malet e Kosovës.
