Lajme

Kosova dhe Kolumbia thellojnë bashkëpunimin, nënshkruhen tri marrëveshje

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka zhvilluar një takim me homologen e tij nga Republika e Kolumbisë, Paula Andrea Cerón Arboleda, ku është riafirmuar përkushtimi për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët.

Sipas njoftimit të ministrisë, gjatë takimit janë nënshkruar tri marrëveshje të rëndësishme: marrëveshja për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare, marrëveshja për konsultime politike ndërmjet dy ministrive të jashtme, si dhe memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet dy akademive diplomatike.

Këto marrëveshje konsiderohen një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional dhe thellimit të lidhjeve ndërmjet dy shteteve.

“Gjatë takimit u diskutua edhe mundësia e heqjes së vizave për mbajtësit e pasaportave të rregullta, me ç’rast palës kolumbiane iu dorëzua drafti fillestar për këtë çështje, si një hap konkret drejt lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe afrimit të mëtejmë ndërmjet dy shteteve”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, palët janë pajtuar që së shpejti të mbahet raundi i parë i konsultimeve politike në Prishtinë, me qëllim konkretizimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Gjatë qëndrimit në Kolumbi, Ahmeti është takuar edhe me zëvendësministrin e Mbrojtjes Nacionale, Javier Baquero, me të cilin ka diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Në kuadër të vizitës, ai ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të sektorëve të kulturës, arsimit, sportit dhe bujqësisë, ku janë shqyrtuar mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm.

Vizita në Kolumbi përmbyll turin e Ahmetit në këtë rajon, gjatë së cilës janë nënshkruar gjithsej gjashtë marrëveshje, duke forcuar praninë dhe partneritetet e Kosovës në Amerikën Latine.

Të Ngjashme