Lajme

“Kosova gjithmonë falënderuese ndaj NATO-s” – Maqedonci pret në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në takim lamtumirës ka pritur komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash.

Maqedonci ka thënë se e ka falënderuar gjeneralin Ulutash për kontributin e vazhdueshëm të KFOR-it në shërbim të sigurisë së vendit, si dhe rolit në sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

“Gjithashtu i shpreha mirënjohjen për bashkëpunimin dhe koordinimin e shkëlqyeshëm me Ministrinë e Mbrojtjes për të gjitha çështjet e interesit të përbashkët”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.

Ai tutje ka shtuar se vendi u është mirënjohës të gjithë ushtarakëve të vendeve mike, anëtare të NATO-s.

“Republika e Kosovës u është mirënjohës gjithë ushtarakëve të vendeve mike, anëtare të NATO-s, që kontribuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë për të mirën e vendit tonë dhe së ardhmes së sigurtë të saj”./teve1.info/