Presidenti amerikan, Donald Trump, e jetësoi Bordin e Paqes, një nismë që ai thotë se synon të zgjidhë konfliktet globale dhe të promovojë stabilitet e paqe “në zonat e prekura apo të kërcënuara nga konfliktet”.
Në ceremoninë nënshkruese të nismës ndërkombëtare, që u zhvillua në Davos të Zvicrës, Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.
Osmani tha se marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Bord do t’i dërgohet Kuvendit për ratifikim.
“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës”, shkroi ajo në Facebook pas ceremonisë së nënshkrimit.
Pjesëmarrja e Osmanit në këtë Bord, u vlerësua lartë.
E më gjerësisht për këtë çështje, për “Bota sot” foli Driton Tali.
Ai u shpreh se, prezenca e Kosovës në këtë ngjarje të nivelit të lartë është e rëndësishme në disa aspekte.

Driton Tali
“Siç tashmë u morr vesh Bordi i Paqes është një mekanizëm ndërkombëtar i inicuar nga presidenti amerikan Donald Trump. me mandat fillestar për të mbikëqyrur zbatimin e paqes dhe rindërtimin e Gazës pas konfliktit Izrael-Hamas, dhe më gjerë për stabilizimin e zonave të konfliktit.
E pastaj varësisht nga zhvillimet pse jo edhe ta zavendësojë OKB’en.
Pra kjo është ideje mbrapa Bordit Paqes në pika të shkurta.
Prandaj, prezenca e Kosovës në mesin 19 nënshkruesëve fillestarë, është e rëndësishme në disa nivele”.
Fillimisht, ai tha se me këtë u konfirmuar besnikëria e Kosovës ndaj SHBA-së dhe që shteti ynë po përçon mesazhe se ne jemi me SHBA-në, pavarësisht çdo gjëje.
“Në një, sipas mendimit tim, risigurohet besnikëria jonë ndaj aleancës me SHBA-në.
Siç po shifet shumë vende, qofshin edhe aleate denbabaden me SHBA-në, këtë ide e kanë vënë në dyshim dhe i kanë dhënë krtika goxha të ashpra. Me këtë Kosova çon mesazhin se pamarrë parasysh jemi me SHBA-në! SHBA ishte për neve kur ne kishim nevojën ekzesticionale dhe ne do jemi pranë SHBA-së pamarrë parasysh”.
Krahas kësaj, Tali përmendi edhe rëndësinë e kësaj pjesëmarrje në aspektin politik, ku tha se e rrit peshën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Madje, tha se, rrjedhimisht forcohen edhe më shumë lidhjet strategjike me SHBA-në.
“Pastaj edhe rëndësia politike është enorme, sepse e rritë peshën e Kosovës në diplomacinë globale. Kosova më në fund u vendos në një tryezë ku diskutohet politika globale e paqes, jo vetëm tema rajonale. Diçka që deri tashti na ka munguar. Bile edhe anëtarsimi në OKB sikur relativizohet.
Pra thënë shkurt e shqip: ky Bord ja rrit profilin ndërkombëtar Kosovës dhe i jep një rol më aktiv në forumet globale. Ashtu sikurse forcon edhe më shumë lidhjen strategjike me Shtetet e Bashkuara”, përfundoi Driton Tali për “Bota sot”.
