Edhe pse kanë mbetur vetëm gjashtë ditë nga afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Kosova ende nuk ka arritur një konsensus për Vjosa Osmanin apo ndonjë tjetër kandidat. Situata ngre pyetje serioze për stabilitetin institucional: a do të hyjë vendi në një krizë të re politike dhe a rrezikohet shpërndarja e Kuvendit nëse nuk gjendet marrëveshje për presidentin?
Përveç kësaj, lind dilema nëse qytetarët do t’i drejtohen përsëri kutive të votimit këtë vit. Në një kontekst të tillë, diskutohet gjithnjë e më shumë nëse posti i presidentit është bërë peng i pazareve politike, apo nëse duhet të mbetet një figurë mbi partitë, jashtë kalkulimeve elektorale.
E për këtë temë për “Bota sot” foli Driton Tali, i cili u shpreh se presidenti i vendit gjithmonë është zgjehdur me marrëveshje mes partive politike.

Driton Tali
Në këtë pikë që jemi, ai potencoi se LVV me 57 deputetë dhe me disa vota të deputetëve të partive të komunitetit joserb, nuk mund ta zgjedh presidentin e ri, pa marrëveshje politike.
“Me Kushtetutë është paraparë që posti i presidentit të jetë ceremonial, me disa funksione ekzekutive të limituara, dhe të zgjidhet nëpermes të marrëveshjve në mes partive kuvendore.
Dhe kështu është bërë. Gjithmonë presidentin e kemi fituar nga marrëveshjet në mes partisë fituese dhe tjetrës me të cilën është krijuar koalicioni qeveritar, varësisht nga rezultati zgjedhor.
Tashti kemi një situate ku koalicioni i LVV-së, me 57 deputetë plus partitë të komuniteteve jo shumicë, nuk mjaftojnë për të zgjedhur presidentin. Dhe natyrisht partitë opozitare kërkojnë hisen e tyre edhe në qeveri”, deklaroi ai.
Për këtë, Tali përmendi koalicionet që LVV mund të bëj me partitë tjera, për të zgjedhur presidentin e ri dhe për t’i shmangur zgjedhjet e reja.
“Çështja është se me kë do ta bëj LVV-ja koalicionin, sepse nuk i ka numrat e duhura.
Sipas sigurisë do të duhej të ishte PDK sepse i ka 23 deputetë, gjersa edhe me LDK-në mund ta bëj, por me sfida për faktin se ajo i ka 14 deputetë.
Pra kjo ështē situata aktuale me pak fjalë”.
Ndër të tjera, ai potencoi se gjasat për zgjedhje të reja po rriten duke parë që nuk ka konsensus mes partive politike.
Sipas tij, Kosova nuk mund të shkojë në vazhdimësi në zgjedhje, asaj i duhet nstitucionet konform rezultatit zgjedhor.
“Se a do të shkojmë në zgjedhje, siç po shihet dita ditës probabiliteti po rritet sepse opozita po kërkojnë hise edhe në qeveri ngase kështu është krijuar paradigma politike.
Unë, duke i patur parasysh këto, kam deklaruar në vazhdimësi se Kosova edhe njëpalë zgjedhje mbase mund t’i durojë, por pastaj duhet patjetër të krijohen institucionet konform rezultatit zgjedhor sepse nuk mundemi të shkojmë në zgjedhje pas zgjedhjeve deri në pakufi”, përfundoi Driton Tali për “Bota sot”.
