Lajme

Kosova në prag të një prove të madhe: A do të zgjidhet presidenti apo vendi shkon sërish në zgjedhje?

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit, pritet të mbahet në fillim të muajit gusht.

Ky afat vjen në një periudhë të ndjeshme politike, pasi me konstituimin e Kuvendit nis edhe afati kushtetues 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Gjatë një prononcimi për gazetarët, Haxhiu ka deklaruar se vendimi për mbajtjen e seancës në fillim të gushtit lidhet edhe me nevojën për t’u dhënë kohë partive politike që të zhvillojnë diskutime dhe të arrijnë një marrëveshje për çështjen e presidentit. Pikërisht mungesa e konsensusit politik për zgjedhjen e presidentit të ri disa muaj më parë ishte një nga faktorët që çoi në mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Afati kushtetues është deri më 7 gusht dhe në fillim të gushtit do të ketë seancë konstituive. Javën e ardhshme ju premtoj që do ta dini ditën e saktë edhe orën e saktë”, ka thënë Haxhiu.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse partitë politike do të arrijnë t’i tejkalojnë dallimet e tyre dhe të sigurojnë një marrëveshje për funksionalizimin e institucioneve të reja. Në mungesë të sinjaleve konkrete për kompromis, Kosova rrezikon të përballet sërish me një ngërç institucional dhe një periudhë të zgjatur pasigurie politike.

Pyetja kryesore mbetet nëse koha në dispozicion do të jetë e mjaftueshme për një marrëveshje mes subjekteve politike apo nëse vendi do të hyjë në një tjetër krizë institucionale, me pasoja për funksionimin e Kuvendit, për zgjedhjen e presidentit dhe proceset e rëndësishme shtetërore.

Bukuroca: Presidenti ose presidentja i duhet shtetit, jo vetëm Vetëvendosjes

Fillimisht, për këtë temë për “Bota sot” foli publicisti Lis Bukuroca, i cili u shpreh se ka pak gjasa të ketë ndonjë kompromis deri në kohën kur do të mbahet seanca në Kuvend, pasi sipas tij, ka mungesë të përgjegjësisë nga ana e PDK-së dhe LDK-së.

Këtu, ai përmendi dallimet në qasjen politike të këtyre dy partive me LVV-në.

Image
Lis Bukuroca

“Për fat të keq, shpresa për një kompromis të qëndrueshëm është e vogël, sepse mungon përgjegjësia ndaj shtetit ligjor, sidomos te PDK-ja dhe, më pas, te LDK-ja.

Arsyeja është e thjeshtë: këto dy parti mbrojnë një filozofi tjetër të organizimit të shtetit. Gjatë periudhës kur qeverisën, shteti u shndërrua në një mekanizëm në shërbim të interesave të tyre, ndërsa pasurimi, punësimet dhe shumë procese të tjera që lidhen me shtetin ligjor, nga gjykatat deri te prokuroria, u trajtuan më tepër si formalitete sesa si parime themelore të qeverisjes.

Në anën tjetër, Vetëvendosja është e kundërta e asaj qasjeje. Filozofia e saj politike bazohet në ndërtimin e një shteti ligjor, ku institucionet janë në shërbim të qytetarëve dhe jo të partive politike”, deklaroi ai.

Madje, Bukuroca vlerëson se liderët formalë të këtyre partive nuk konsiderohen vendimmarrësit kryesorë, por figura që veprojnë nën ndikimin e personave që i kanë sjellë në ato pozita.

Për këtë, ai komentoi edhe atë se çfarë ndodh nëse LVV bën koalicion me PDK-në e çfarë me LDK-në, për të dyja rastet kishte paralajmërimet e tij.

“Për këtë arsye, është shumë e vështirë të arrihet një kompromis me parti që mbrojnë një model qeverisjeje të ndryshëm nga ai që promovon Vetëvendosja. Në këtë këndvështrim, drejtuesit formalë të këtyre partive nuk konsiderohen vendimmarrësit kryesorë, por figura që veprojnë nën ndikimin e liderëve realë që i kanë sjellë në ato pozita.

Një marrëveshje ndërmjet PDK-së dhe Vetëvendosjes do të nënkuptonte që njëra palë të hiqte dorë nga parimet themelore të saj. Ose PDK-ja do të duhej të pranonte plotësisht një model të shtetit ligjor që bie ndesh me qasjen e saj të deritanishme, ose Vetëvendosja do të duhej të largohej nga programi i vet politik dhe të pranonte një mënyrë qeverisjeje që e ka kundërshtuar vazhdimisht.

Sido që të përfundonte një kompromis i tillë, ai do të kishte kosto politike për të gjitha palët. PDK-ja do të duhej të distancohej nga praktikat e së kaluarës, LDK-ja do të përballej me trashëgiminë e vet politike, ndërsa Vetëvendosja, nëse do të bënte lëshime thelbësore, do të rrezikonte të binte në kundërshtim me programin dhe identitetin e saj politik”.

Ndër të tjera, publicisti paralajmëroi se në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje, vendi rrezikohet sërish nga bllokada institucionale dhe se pasojat më pas do të jenë të mëdha.

“Presidenti ose presidentja i duhet shtetit, jo vetëm Vetëvendosjes. Por, kur liderët opozitarë ndihen të detyruar të sillen sipas vullnetit të liderëve realë ose të oligarkëve, ata do ta shantazhojnë Vetëvendosjen dhe, njëkohësisht, do ta sabotojnë shtetin përsëri.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje, vendi do të hyjë në një krizë të zgjatur institucionale, me pasoja për funksionimin normal të Kuvendit, për miratimin e ligjeve dhe për besimin e qytetarëve te institucionet, etj.

Nëse ndodh, atëherë humbësit më të mëdhenj nuk do të jenë vetëm partitë politike, por shteti i Kosovës”, përfundoi Lis Bukuroca për “Bota sot”.

Mehmeti: Nuk besoj se do të ketë tejkalim të këtij ngërçi politik, pasi partitë politike nuk kanë arritur të gjejnë një gjuhë të përbashkët

Kurse analisti politik, Faton Mehmeti, nuk beson se do të ketë marrëveshje mes partive deri në seancën kur pritet të bëhet konstituimi.

Image
Faton Mehmeti

Ai thotë se zhvillimet e brendshme në LDK e bëjnë edhe më të vështirë që të ketë ndonjë zhvillim sa i përket ndonjë marrëveshjeje të mundshme.

“Pavarësisht paralajmërimit të kryetares së Kuvendit, unë nuk besoj se do të ketë tejkalim të këtij ngërçi politik, pasi partitë politike nuk kanë arritur të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Për më tepër, fakti që LDK-ja është futur në një krizë të brendshme e bën edhe më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje. Për këtë arsye, besoj se partitë do të shkojnë në seancë pa ndonjë marrëveshje paraprake”.

Për këtë, analisti potencoi se LVV-ja i ka numrat për qeverinë dhe Kuvendin, por jo edhe për presidentin. Rrjedhimisht, pa marrëveshje paraprake nuk mund të zgjidhet presidenti dhe kështu vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje.

“Koalicioni i LVV-së me partitë e tjera, me të cilat ka shkuar bashkë në zgjedhje, i ka numrat e nevojshëm për të zgjedhur qeverinë dhe Kuvendin, por kur vjen puna te zgjedhja e presidentit, besoj se përsëri do të ketë mosmarrëveshje dhe vendi rrezikon që sërish të shkojë në zgjedhje.

Kështu që, qeveria përsëri mund të bjerë dhe, me një qeveri sërish në detyrë, pasojat do të jenë shumë më afatgjata, për shkak se mungojnë investimet. Një qeveri në detyrë i ka kompetencat e kufizuara”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Të Ngjashme