Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi më 4 prill, dhe sipas Kushtetutës së Kosovës, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, mori detyrën e ushtrueses së detyrës së presidentes.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka afat deri më 28 prill, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të siguruar mbështetjen e nevojshme të deputetëve për zgjedhjen e presidentit të ri.
Në rast se nuk arrihet një marrëveshje, Kosova do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat duhet të organizohen brenda 45 ditësh.
E në lidhje me zhvillimet e fundit dhe përpjekjet për zgjedhjen e presidentit të ri, për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi.
Fillimisht, ai u shpreh se, në Kosovë situata është shumë e ndërlikuar dhe ka një mospajtim të madh mes pozitës dhe opozitës.
Sipas tij, partitë politike nuk po tregojnë gatishmëri për të gjet një mënyrë për ta zhbllokuar bllokadën.
“Duke u ndalur në gjendjen e politikave aktuale, Kosova po përballet me botën e vet të brendshme politike, që na çojnë më shumë drejt ndërlikimit të situatës dhe të një politike që dëshmohet me hendekun e thelluar në mes pozitës dhe opozitës, duke i lënë anash interesat e popullit dhe shtetit.
Koha po kalon pa i dhënë kuptim marrëveshjeve në mes partive politike për zgjedhjen e presidentit/es, duke mos gjetur një kompromis të përbashkët dhe duke u treguar të pafuqishëm përballë shpërthimit të një pozitivizmi në të mirën e këtij populli dhe shteti”.

Dedë Preqi
Në këtë pikë, Preqi kritikoi partitë opzitare dhe faktin se ato nuk po japin zgjidhje për çështjen e presidentit, madje as nuk po japin emra konkret të kandidatëve.
Ndonëse, ai potencoi se kryeministri Kurti po bën përpjekjet e tij për të gjet një zgjidhje.
“Opozita e sotme me PDK, LDK dhe AAK i ngatërrojnë vetë gjërat dhe rrugët njëra-tjetrës, duke mos mundur të gjejnë zgjidhje dhe gjuhë të përbashkët për zgjedhjen e kandidatit për president të vendit, edhe pse PDK thotë se i ka kandidatët e saj, por nuk i zbulon emrat e tyre, të cilët do të duhej t’ia votojnë detyrimisht pozita dhe të tjerët.
Kryeministri Kurti bën përpjekje që brenda këtij afati të mbetur deri në fund të prillit të gjejë një zgjidhje, duke i ftuar partitë e mëdha të opozitës në konsultim për një zgjidhje të mundshme të presidentit dhe për t’iu shmangur zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat mund ta sjellin të njëjtën situate”, u shpreh ai.
Tutje, opinionisti u tregua më kritik veçanërisht me PDK-në, ku tha se po tregohet parti joserioze me qasjen e saj.
“Shembulli i sjelljes së opozitës nga PDK nuk është shembull serioziteti dhe i një demokracie të mirëfilltë qytetare dhe parlamentare, duke mos pranuar kandidatët e propozuar nga LVV dhe duke ditur se numrat nuk i ka asnjëra për të nënshkruar propozimin e kandidatit të vet, kërkon me këmbëngulje që t’ia votojnë propozimin e kandidatit anonim për president”.
Krahas kësaj, ai përmendi edhe synimet e partive me pak deputetë dhe ambiciet e tyre që të kenë kandidatin e tyre për president.
Të gjitha këto, sipas tij, janë lojëra politike dhe nuk është se u interesojnë vuajtjet dhe prolemet e qytetarëve.
“Mirëpo, në mes këtyre shembujve ka edhe shumë shembuj të tjerë nga opozita, prej të cilëve me 5-6 deputetë kanë ambicie dhe kërkojnë që të gjithë të zëvendësohen me ministra dhe, përveç kësaj, e kërkojnë edhe kandidatin e tyre për president të vendit.
Kjo është një lojë politike, e cila nuk na çon aq larg, duke qaluar në vendnumëro. Deri kur Kosova dhe populli i saj duhet të presin liderët e vet, apo populli duhet të ketë durim deri atëherë kur pozita dhe opozita të gjejnë disponimin e tyre, ndërsa këta përpjekjet e vetme i kanë për pushtet?
Në fakt, asnjëra dhe as tjetra nuk e ndjejnë dhimbjen dhe vuajtjet e këtij populli brenda tyre dhe nuk vuajnë ata në vend të tyre, por pse nuk heqin dorë nga detyrat dhe obligimet që i kanë marrë nga vota dhe besimi i popullit, ndërsa në anën tjetër i shfrytëzojnë djersët e këtij populli pa bërë një punë të mirë e të mbarë dhe në shërbim të tyre”, nënvizoi opinionisti.
Ndër të tjera, opnionisti shtoi se, në këtë situatë që jemi, tani është e nevojshme që të krijohet një klimë e re politike dhe të ketë vullnet bashkëpunimi mes pozitës e opozitës.
“Përndryshe, në një kuptim tjetër, zhvlerësimi i këtij realiteti të shndërrohet përmes një ndryshimi dhe krijimi të një klime tjetër dhe të re politike, duke e bashkuar vullnetin e përbashkët, pozitë dhe opozitë, në veçanti në kauza të rëndësishme, sikur kjo e sotmja në këto rrethana, që të gjendet një modul i pajtuar në mes palëve për zgjedhjen e presidentit/es, që do ta karakterizonte edhe nivelin e kulturës tonë politike, se a jemi pjekur dhe përgatitur për të udhëhequr shtetin tonë demokratik”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.
