Në një moment kyç për institucionet e Kosovës, çështja e zgjedhjes së presidentit të ri ka rikthyer në pah sfidat e thella të bashkëpunimit ndërpartiak. Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), gjatë një seance parlamentare të enjten, bëri thirrje për unitet dhe veprim të shpejtë, duke theksuar se vendi nuk ka luks për vonesa apo bllokada.
“Tani na duhet të punojmë sa më shumë që të mundemi së bashku, e jo të kemi bllokada të reja. Bllokadat, grackat, kleçkat, taktikat nuk janë mendësi e zhvillimit, por e ngecjes. Koha që të ecim përpara dhe të jemi në krye të detyrës”, tha Kurti drejtuar deputetëve në Kuvend.
Thirrja e tij për bashkëpunim vjen në një periudhë kur procesi është tensionuar nga akuzat e opozitës, veçanërisht nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila e ka akuzuar LVV-në për vonesë të qëllimshme, ndërkohë që afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po afron.
Kjo situatë ngrit pyetjen: a është e mundur realisht që partitë politike të vendosin mënjanë inatet dhe të arrijnë një konsensus për të garantuar stabilitet institucional, apo sfidat historike të bashkëpunimit do të vazhdojnë të pengojnë një zgjidhje të përbashkët?
Salihaj: Në këtë luftë bllokadash, viktimë është Kosova dhe qytetarët e saj.
E në lidhje me këtë deklaratë të Kurtit dhe mundësinë që partitë politike të arrijnë kompromis për presidentin e ri, foli për “Bota sot” ish-deputeti Adem Salihaj.

Adem Salihaj
Së pari, ai kritikoi partitë, duke thanë se janë të përçara tej mase, duke theksuar se ka mungesë të unitetit politik.
Sipas tij, ka zgjidhje për këtë çështje, por që fokusi po mbahet te bllokada dhe jo te ecja përpara.
“Partitë politike në Kosovë nuk kanë aftësi as sens për unitet politik. Madje, janë të hasmuara dhe të përçara skajshmërisht. Nuk marrin parasysh asnjë interes shtetëror, ato janë të barrikaduara në interesat partiake. Fokusi i tyre kryesor është bllokada, jo zgjidhja. Me këtë logjikë, Kosova nuk do të mund të ecën përpara. Zgjidhje ka, madje të shumta. Por, një zgjidhje nuk i konvenon një partie politike, një zgjidhje tjetër nuk i konvenon një partie tjetër. Çdo përpjekje do të jetë e kotë dhe nuk do të bëhet asnjë zgjidhje”.
Krahas kësaj, ai potencoi se, në këtë “luftë” mes partive politike, viktimë e vetme është Kosova dhe qyetarët e saj.
Në këtë luftë bllokadash, viktimë është Kosova dhe qytetarët e saj. Ne sapo kemi dalë nga zgjedhjet e treta brenda një viti, kurse partitë politike kërkojnë sërish zgjedhje. Kjo tashmë ka humbur çdo sens dhe është bërë e padurueshme”, përfundoi Adem Salihaj për “Bota sot”.
Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese u dha ligjvënësve 34 ditë kohë për ta zgjedhur kreun e shtetit, në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati më 4 prill dhe, nëse deri atëherë nuk zgjidhet presidenti i ri, detyrën e presidentit do ta ushtrojë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Zogaj: Kjo situatë e vë në pikëpyetje vetë funksionalitetin e shtetit
Kurse, publicisti Skënder Zogaj tha se, fatkeqësisht klasa politike nuk po i kushton vëmendjen e duhur çështjeve të rëndësishme

Skënder Zogaj
Ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” potencoi se, klasa politike e ka humbur orientimin dhe po e keqpërdorin skajshmërisht besimin e qytetarëve.
“Kosova e ka dëshmuar shpesh vlerësimin se shqiptarët janë fitimtarë në luftë, por humbës në liri. Këtë perceptim armiqtë tanë e kanë keqpërdorur për qëllime propagandistike, duke pretenduar se “shqiptarët nuk dinë të vetëqeverisen dhe nuk e meritojnë pavarësinë”. Fatkeqësisht, ky është një “mallkim” të cilit Kosova nuk po i kushton vëmendjen e duhur dhe, për më tepër, në mënyrë të pavetëdijshme po i ushqen ambiciet e “mullinjve të erës” dhe donkishotëve të errët.
Klasa politike e Kosovës, në tërësi, ka humbur orientimin. Ajo po e keqpërdor besimin e qytetarëve dhe po luan me fatin e vendit, i cili edhe 26 vjet pas luftës vazhdon të ngecë në vend, pa arritur ta funksionalizojë plotësisht shtetin. Ky realitet është i qartë dhe nuk lë hapësirë për interpretime apo justifikime: elita politike është zhytur në një garë egoiste për pushtet, që po ushtrohet me çdo kusht”, deklaroi publicisti.
Gjithashtu, Zogaj konsideroi se e gjithë kjo situatë e krijuar vë në pikëpyetje funksionalitetin e shtetit.
Madje, ai këtë e sheh si një gjendje alarmate dhe që përgjegjësia bie te udhëheqësit politikë.
“Si mund të shpjegohet ndryshe fakti që kalojnë vite pa funksionimin e plotë të institucioneve vitale shtetërore? Në thelb, kjo situatë e vë në pikëpyetje vetë funksionalitetin e shtetit.
Kjo është një gjendje alarmante dhe e papranueshme. Përgjegjësia nuk bie vetëm mbi udhëheqësit politikë, por edhe mbi qytetarët, të cilët shpesh qëndrojnë pasivë përballë kësaj gjendjeje, duke shpresuar se gjithçka do të zgjidhet vetvetiu”.
Në fund, ai vlerësoi se e gjithë kjo është shqetësuese dhe për këtë kërkoi që Presidentja dhe liderët partiakë duhet të ulen urgjentisht të gjejnë një zgjidhje.
“Me keqardhje duhet thënë se koha e thirrjeve të përgjithshme për bashkëpunim ka kaluar. Kryeministri, Presidentja dhe liderët partiakë duhet të ulen urgjentisht dhe të japin përgjegjësi të qarta për drejtimin që po i japin vendit.
Është thellësisht shqetësuese nëse individë të caktuar e shohin shpëtimin e tyre personal në fatkeqësinë kolektive të Kosovës”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.
