Lajme

Kosova nis zbatimin e ligjit për dokumentet dhe automjetet, MPB jep detaje

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në përputhje me deklarimet e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, të datës 14 mars 2026, janë duke u ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e plotë të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete.

Sipas njoftimit, periudha informuese e paraparë për këto ligje përfundon më 15 mars, ndërsa nga data 16 mars qytetarët mund të fillojnë me aplikimet për lejeqëndrim apo për lajmërimin e adresës.

Po ashtu, ministria do të nxjerrë vendimet e nevojshme administrative për njohjen e përkohshme të kartave të identitetit të lëshuara nga strukturat jolegale paralele serbe, ekskluzivisht për qëllime identifikimi dhe në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.

“Ministria e Punëve të Brendshme njofton publikun se, në përputhje me deklarimet e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti dhe përfaqësuesit special të BE-së z. Peter Sorensen të datës 14 mars 2026, është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e plotë të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete, pas periudhës informuese të paraparë deri me 15 mars, përkatësisht nga data 16 mars mund të fillohet me aplikime për lejeqëndrim apo lajmërim të adresës. Gjithashtu, në kuadër të këtij procesi, Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerrë aktet e nevojshme administrative për mundësimin e regjistrimit, për një periudhë tre (3) mujore, të fakteve të lindjes, martesës dhe vdekjes të regjistruara deri më 15 mars 2026 në institucionet jolegale paralele serbe, me qëllim integrimin e tyre në Regjistrit Civil të Republikës së Kosovës. Ministria do të nxjerrë vendimet e nevojshme administrative për njohjen e përkohshme të kartës së identitetit të lëshuar nga strukturat jolegale paralele serbe, ekskluzivisht për qëllime identifikimi, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e Kosovës është pajtuar t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe t’ua njohë letërnjoftimet pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumenteve kosovare në Ligjin për të huaj dhe atë për automjetet, që do të fillojnë të zbatohen plotësisht nga e diela.

Vendimi i Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti vjen pas një takimi në Prishtinë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, të shtunën në mëngjes dhe ai u përshëndet nga bashkësia ndërkombëtare.

Ligjet do të hyjnë plotësisht në fuqi sot dhe kërkojnë që të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj ose vetëm në bazë të autorizimit.

Të Ngjashme