Lajme

Kosova përballë orës politike: Afati i presidentit po shteron pa marrëveshje

Kosova po i afrohet një momenti kritik institucional, ndërsa afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për zgjedhjen e presidentit, më 28 prill, po vjen pa një konsensus të qartë politik. Ky proces, që kërkon bashkëpunim ndërmjet forcave kryesore politike, po zhvillohet në një klimë të thellë mosbesimi dhe përçarjeje.

Deri tani, kur kanë mbetur vetëm edhe gjashte ditë nga afati i vendosur, përpjekjet për të arritur një marrëveshje kanë dështuar. Bisedimet mes Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë prodhuar rezultat, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të qartë se nuk do të hyjë në negociata me LVV për çështjen e presidentit. Ky ngërç politik e vë vendin përballë një pasigurie të madhe institucionale dhe ngre pyetje të rëndësishme për hapat e ardhshëm.

Në këtë situatë, dilema kryesore mbetet: a do të gjendet një kompromis në momentet e fundit, apo vendi do të shkojë drejt një krize më të thellë që mund të çojë edhe në zgjedhje të reja?

Zhvillimet në ditët në vijim do të jenë vendimtare jo vetëm për zgjedhjen e presidentit, por edhe për stabilitetin institucional dhe drejtimin politik të Kosovës.

Halilaj: Kosova po hyn në një nga momentet më të ndjeshme politike të saj

E për këtë çështje, për “Bota sot” foli Gazmend Halilaj, i cili u shpreh se, tani vendi po hyn në një fazë shumë të rëndësishme.

Sipas tij, zgjedhja e presidentit përveç faktit se është obligim kushtetues, ajo është edhe provë e pjekurisë dhe përgjegjësisë politike.

“Kosova po hyn në një nga momentet më të ndjeshme politike të saj, ku zgjedhja e presidentit nuk është vetëm një obligim kushtetues, por një provë e pjekurisë institucionale dhe përgjegjësisë politike. Afati i 28 prillit i vendosur nga Gjykata Kushtetuese po afrohet shpejt, ndërsa mungesa e një marrëveshjeje konkrete mes subjekteve politike e ka rritur pasigurinë në vend”, deklaroi avokati.

Image
Gazmend Halilaj

Krahas kësaj, ndonëse tha se barra më e madhe bie mbi partinë që ka marrë më së shumti vota, ai vlerëson se LVV si parti fituese ka dëshmuar se është e gatshme për dialog dhe transparencë për të gjetë një zgjidhje për çështjen e presidentit.

“Në këtë situatë, është e qartë se barra kryesore bie mbi forcat politike që kanë legjitimitetin më të madh qytetar, e në veçanti mbi Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka dëshmuar vazhdimisht se është e gatshme të udhëheqë procese të rëndësishme shtetformuese me përgjegjësi dhe transparencë. Qasja e saj konstruktive në dialog dhe përkushtimi për të gjetur një zgjidhje brenda kornizave kushtetuese tregojnë seriozitetin që kjo forcë politike ka ndaj stabilitetit të vendit”.

Ndër të tjera, ai shtoi se zgjedhjet do ndikonin negativisht në shumë aspekte, derisa vlerësoi se edhe qytetarët presin që partitë t’i vendosin interesat shtetërore mbi ato partiake.

Për këtë, potencoi se, arritja e një marrëveshjeje kërkon guxim dhe vizion të gjerë politik.

“Nga ana tjetër, qytetarët presin me të drejtë që interesat shtetërore të vendosen mbi kalkulimet partiake. Shmangia e zgjedhjeve të reja do të kursente kohë, energji dhe resurse, duke i hapur rrugë fokusimit në zhvillim ekonomik, sundim të ligjit dhe integrime euroatlantike.

Prandaj, arritja e një marrëveshjeje kërkon guxim politik dhe vizion afatgjatë. Në këtë drejtim, roli i Lëvizjes Vetëvendosje mbetet kyç, jo vetëm si fituese e zgjedhjeve, por si garantuese e stabilitetit dhe vazhdimësisë institucionale. Në fund, ajo që është më e rëndësishme është që Kosova të dalë nga kjo situatë më e fortë, me institucione funksionale dhe me një mesazh të qartë se vendimmarrja bëhet për qytetarët dhe në interes të tyre”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.

Mehmeti: Afati për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës është afruar…

Ndërsa, opinionisti Gani Mehmeti potencoi se edhe pse kanë mbetur vetëm edhe pak ditë ende nuk dihet saktë se a do kemi zgjedhje të reja apo president të ri.

Megjithatë, ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” vlerësoi se, po të kishte vullnet nga partitë politike, vendi do kishte presidentin e ri.

“Kur diçka është me afat, duhet pritur deri në fund. Deri atëherë, nuk i dihet, sepse gjithçka i mbetet momentit, pra kohës.

Sikur të kishte vullnet mes partive politike, kryetari do të ishte zgjedhur deri tani. Mirëpo, me sa po shihet, të gjitha diskutimet për zgjedhjen e kryetarit të Republikës së Kosovës kanë përfunduar, sipas deklaratave të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës. AAK ka mbetur jashtë loje, pasi ka pak deputetë dhe nuk do ta bënte zgjedhjen me deputetët e saj bashkë me ata të LVV-së”.

Image
Gani Mehmeti

Krahas kësaj, Mehmeti foli edhe për “lojërat” e partive politike, ndonëse tha se të gjitha janë fajtore, në këtë pikë, potencoi se LVV ka më së paku faj, pasi kishte qëndrim serioz për dallim nga PDK e LDK.

“Ka pasur lojëra nga të gjitha partitë dhe të gjitha janë fajtore, kush më shumë e kush më pak. Megjithatë, LVV ishte disi më serioze, ndërsa LDK, edhe pse deri në fund jepte shpresa se do të bëhej zgjedhja e kryetarit, u tërhoq përkundër një bashkëqeverisjeje që paraqiti Kurti. Abdixhiku u tërhoq aq sa tha se nuk do të bisedohet më për kryetarin.

Me të kuptuar këtë, edhe Bedri Hamza i PDK-së tha se nuk do të bisedohet fare për kryetarin, sepse kështu qenkan marrë vesh në Këshillin e Përgjithshëm të PDK-së”.

Më tej, publicisti foli edhe për prapaskenat e vendimit të dy partive më të mëdha opozitare për tërheqje nga bisedimet për president.

“Përse tani u tërhoqën të dy partitë më të mëdha nga zgjedhja e kryetarit?

LDK mendon se Vjosa Osmani do t’i bashkohet dhe në zgjedhjet e ardhshme shpreson të rritet me numrin e deputetëve. Kështu mendohet edhe në PDK, duke supozuar se të akuzuarit në Gjykatën Speciale në Hagë do të lirohen dhe, me kthimin e tyre, besojnë se do të fitojnë zgjedhjet aq sa për ta formuar qeverinë. Këto dy parti, që kanë bashkëqeverisur për një kohë të gjatë, LDK dhe PDK, së bashku edhe me AAK-në, mendojnë se në zgjedhjet e ardhshme do të dalin fituese dhe do të formojnë qeverinë.

Mirëpo, kjo nuk është e sigurt. Votuesit janë lodhur dhe zgjedhjet e ardhshme, përafërsisht, do të kenë të njëjtin rezultat. Nuk do të mund ta zgjedhin kryetarin as pas zgjedhjeve të ardhshme, pra në qershor. Do të krijohen dy blloqe, ashtu si janë edhe sot: ish-opozita dhe pozita e tanishme”, shtjelloi ai.

Në fund, publicisti theksoi se shteti është në një pozitë që mund të shkojë nga zgjedhjet në zgjedhje shkaku i presidentit dhe ai mund të mos zgjidhet edhe pas disa palë të zgjedhjeve.

Për këtë, në fund, shtoi se, nuk sheh ndonjë zgjidhje për presidentin, ndonëse paralajmëroi se nuk dihet çka mund të ndodhë deri në fund të afatit.

“Jemi në një gjendje të tillë sa mund të shkohet nga zgjedhje në zgjedhje për shkak të kryetarit të Kosovës, sepse ai mund të mos zgjidhet as pas disa palë zgjedhjesh. Kjo do të ndodhte vetëm nëse LVV ose blloku tjetër (LDK, PDK, AAK), bashkë me partitë minoritare pa Listën Serbe, marrin 80 e më tepër deputetë. Deri atëherë, nuk pritet zgjedhja e kryetarit, nëse nuk bëhet tani.

Këtë e them sepse, derisa sot nuk hyjnë në bashkëqeverisje me LVV-në, as LVV nuk do të hyjë në koalicion pas zgjedhjeve të ardhshme, dhe kështu do të krijohet bllokadë pas bllokade.

Për momentin nuk shoh një zgjidhje për zgjedhjen e kryetarit.

Megjithatë, siç e thashë në fillim, nuk i dihet deri në minutat e fundit të kalimit të afatit për zgjedhjen e kryetarit.

U mbledhshin mendtë dhe e zgjedhshin kryetarin, që të mos shkohet në zgjedhje, sepse nuk i dihet deri kur do të vazhdojë kjo situatë!” – përmbylli Gani Mehmeti për “Bota sot”.

Të Ngjashme