Lajme

Kosova rrëzon akuzat e Beogradit, Profesori tregon mesazhin që dha Kurti me liberalizimin e vizave për BeH

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në Samitin e Procesit e Berlinit, ku u shënua edhe 10 vjetori i kësaj nisme.  

Kurti, nga atje njoftoi se Kosova lejon lëvizjen e lirë të qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës.

Profesori Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Bosnje e Hercegovina është e vetmja në rajon që nuk e lejon lëvizjen e qytetarëve të Kosovës në vendin e saj, me dokumente dhe letërnjoftime të Kosovës.

“Të hënën që shkoi kryeministri i Kosovës, zoti Kurti, foli në samitin e Procesit të Berlinit të organizuar po në Berlin nga ana e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe u ndal pikërisht në çështjen themelore, të cilën e lanson ky proces, lëvizjen e lirë.

Rasti bën fjalë për mungesën e kësaj lëvizjeje midis qytetarëve të Kosovës dhe të Bosnjë-Hercegovinës. BH është e vetmja në rajon që nuk lejon lëvizjen e kosovarëve në vendin e saj me dokumente dhe letër njoftimi të Kosovës. Edhe vetë Serbia prej së paku dy vitesh ka lejuar përfundimisht të ndodhë diçka e tillë, Bosnjë-hercegovina jo.

Image
Enver Bytyçi

Kjo ndodh për shkak se kjo marrëveshje nuk është ratifikuar edhe në parlamentin e Republikës Srpska, siç e kërkon edhe kushtetuta e shtetit. Kreu I kësaj republike, Milorad Dodik, refuzoi të martën e shkuar që ta bëjë këtë. Nuk është pra i gatshëm t’i hapë rrugë një rregulli dhe kërkese demokratike e integruese, lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, transportit etj midis të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht midis Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. Ndërkaq dy entitetet e tjera, ajo e myslimanëve dhe ajo kroate e kanë miratuar këtë marrëveshje dhe janë shprehur ligjërisht e publikisht për aplikmin e lëvizjes së lirë bazuar në parimet e objektivat e Procesit të Berlinit.

Sipas tij, kryeministri Kurti ka bërë sfidë dhe atë në mënyrë të njëanshme.

Më tej, ai tha se me këtë akt qeveria e Kosovës demanton akuzat e miqve të Serbisë në Evropë, sikur “Kosova dhe qeveria e saj provokojnë destabilizimin e rajonit“.

Kryeministri Kurti bëri një sfidë. Lajmëroi kancelarin Scholz, presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen dhe liderët e Ballkanit se Kosova do t’i lejojë që nga 1 janari 2025 qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës, përfshirë dhe ata të Republikës Srpska, të udhëtojnë pa vizë dhe me letra njoftimi në territorin e Kosovës. Do ta bëjë këtë në mënyrë të njëanshme. Pra jo në reciprocitet me palën e Bosnjë-Hercegovinës. Është rasti i parë në marrëdhëniet tona rajonale që ndodh një gjë e tillë. Që një vend, pra shteti I Kosovës, liberalizon vizat me një vend fqinj në mënyrë të njëanshme. Ky akt i ka befasuar jo vetëm boshnjakët, kroatët e sidomos serbët e Republikës Srpska. Ka surprizuar edhe autoritetet europiane.

Me këtë akt qeveria e Kosovës demanton akuzat e miqve të Serbisë në Europë, sikur “Kosova dhe qeveria e saj provokojnë destabilizimin e rajonit”! E bën Kosovën të qëndrojë lart në prestigj dhe në dinjitetin e saj. I jep asaj kredite rajonale dhe evropiane e më gjerë. Zhvleftëson akuzat e Beogradit, sipas të cilit “Albin Kurti është nacionalist dhe ushtron dhunë kundër serbëve”! me lëvizjen e lirë të qytetarëve me kombësi serbe në BH, krijohet mundësia që ata vetë të bëhen dëshmitarë, nëse ka ose nuk ka persekutim të serbëve në Kosovë, siç akuzon vazhdimisht presidenti I Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Pra, vendimi I qeverisë Kurti për liberalizim të njëanshëm të lëvizjes së qytetarëve boshnjakë e Hercegovinës në Kosovë, dëshmon më mirë se gjithçka se çfarë është në gjendje të bëjë e të lëshojë një shte dhe institucionet e tij, të cilat respektojnë parimet e lirisë e të demokracisë”, shprehet ai.

Me këtë hap, sipas profesorit Kurti tregoi se nuk është arrogant, kurse për Dodikun thotë se ka sjellje anti-demokratike dhe i shërben thjesht politikave ruse të destabilizimit të Ballkanit.

Këtë hap mund ta hedhin vetëm vendet demokratike. Milorad Dodik është I lidhur dhe frymëzuar jo vetëm nga lidhjet e aleancat strategjike e gjeopolitike me Rusinë e Vladimir Putin. Ai është I lidhur ngushtë edhe me autoritarizmin e shefit të Kremlinit. Një ultra-nacionalist si Dodik, e ka të vështirë të shkëputet nga arrogance e politikës së tij. Ndërsa Kurti dëshmoi se nuk është arrogant. Është thjesht një democrat i zgjedhur aty për të realizuar interesat e shtetit e të popullit të tij. Republika Srpska nuk kishte asnjë interes nga mos ratifikimi I marrëveshjes me Kosovën për lëvizjen e lirë. Interesi qëndronte dhe qëndron në personin që drejton atë republikë. Milorad Dodik me sjelljet e tij anti-demokratike I shërben thjesht politikave ruse të destabilizimit të Ballkanit. Mesa duket ai beson se nga ky destabilizim përfiton Republika Srpska dhe Serbia”, potencon ai.

Por në fakt çdo destabilitet ballkanik do të sillte dështimin fatal të tyre. Bota e civilizuar nuk do ta toleronte kurrë më një vend dhe një komb, I cili nuk ndalet në luftëra kundër popujve dhe vendeve fqinjë në periudha kaq të shkurtra. Janë të freska katër luftërat e Serbisë kundër sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve e shqiptarëve në Kosovë. Duhet të jesh naiv I shkallës më të ulët të besosh se një konflikt i radhës do të kalonte kaq lehtësisht. Megjithatë Dodik dhe republika e tij po luajnë, siç edhe e tha Kurti, rolin e Bjellorusisë në Ballkan, ndërkohë që Serbia po luan deri diku rolin e Rusisë. Të dyja janë dhe mbeten aktorë dhe faktorë destabilizimi.

Kurti dhe Kosova u distancuan edhe më shumë nga çdo fantazi diplomatësh pro serbë, sipas të cilëve “Kosova nuk është përgjegjëse për stabilitetin e Ballkanit”! Shtrirja e sovranitetit të shtetit në veri të vendit e lehtëson edhe më shumë pozicionin e Kosovës si factor paqeje, stabiliteti dhe sugurie në rajonin tonë”, përfundon ai.