Lajme

Kosova, SHBA dhe Evropa duhet të bashkohen – ky është paralajmërimi i Kelmendit për rrezikun nga Irani

Profesori Muahmet Kelmendi ka komentuar situatën e cila po ndodh në botë dhe ndikimin e saj në Kosovë.

Ai thekson rëndësinë e NATO-s si aleancë ushtarake dhe rolin udhëheqës të SHBA-së. Ai vëren sfidat e brendshme të aleancës, si ndarja e barrës financiare, dhe nevojën për bashkëpunim përballë kërcënimeve të jashtme, si agresioni rus ndaj Ukrainës.

Kelmendi gjithashtu kritikon Iranin si një shtet jo demokratik me sistem teokratik dhe lidhje strategjike me Rusinë dhe Kinën, duke e vendosur atë në një pozicion kundër Perëndimit dhe lëvizjeve demokratike globale.

“NATO është një nga aleancat më të rëndësishme ushtarake në botë, e krijuar për mbrojtjen kolektive të vendeve anëtare. Në këtë aleancë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rolin kryesor, si në aspektin ushtarak ashtu edhe politik.

Në vitet e fundit, NATO po përballet me sfida të brendshme dhe të jashtme. Nga njëra anë, deklaratat e Donald Trump kanë nxjerrë në pah problemin e ndarjes së barrës financiare dhe ushrarake, pasi jo të gjitha vendet anëtare përmbushin objektivin prej 5% të GDP-së për mbrojtje.

Kjo krijon pakënaqësi dhe tensione brenda aleancës.

Nga ana tjetër, zhvillimet ndërkombëtare e kanë bërë më të nevojshëm bashkëpunimin. Një shembull i qartë është lufta në Ukrainë, ku agresioni i Rusisë ka detyruar vendet e NATO-s të bashkëpunojnë ngushtë për të mbështetur Ukrainën. Ky rast tregon se NATO funksionon më mirë kur ka një kërcënim të përbashkët.

Megjithatë, jo në çdo rast ka unitet. Një nga çështjet më të debatueshme është qëndrimi ndaj Iranit.

Irani është një shtet me sistem teokratik, ku pushteti politik është i lidhur ngushtë me autoritetin fetar. Kjo do të thotë se vendimmarrja nuk bazohet në parime demokratike, por kryesisht në norma fetare. Ky sistem kufizon liritë individuale dhe të drejtat politike, si liria e shprehjes apo zgjedhjet e lira dhe të barabarta.

Këtë karakter të shtetit e tregon edhe dhuna kundër demonstruesëve. Irani vrau dhe dënoi mijëra demonstrues iranian. Shkeli demonstratat me dhunë të egër.

Për këtë arsye, Irani konsiderohet nga vendet perëndimore si një shtet jo demokratik dhe jo ligjor.

Për më tepër, Irani ka bashkëpunim strategjik me Rusinë dhe marrëdhënie të forta me Kinën. Kjo e vendos atë në një bllok që kundërshton politikat e Perëndimit dhe levizjet perparimtare e demokratike ne bote”, analizon ai.

Tutje, Kelmendi thekson se Irani kundërshton Kosovën dhe mbështet Serbinë, ndërsa SHBA e shohin si kërcënim për stabilitetin global, gjë që ka çuar edhe në aksione ushtarake. Ai thotë se vendet evropiane preferojnë diplomacinë, por dallimet brenda NATO-s rrezikojnë unitetin dhe ndikimin e aleancës. Megjithatë, NATO mbetet faktor kyç për sigurinë, dhe për të qenë efektive, SHBA dhe Evropa duhet të gjejnë pika të përbashkëta për çështje si Irani dhe Ukraina.

“Irani është edhe kundër shtetit të pavarur e sovran të Kosovës. I dha drone dhe armë tjera Serbisë. Po kundërshton shtetin dhe është tërësisht në anën e shtetit serb.

SHBA mbajnë një qëndrim shumë më të ashpër ndaj Iranit. Prandaj edhe filluan aksionet ushtarake. Për SHBA-të, Irani është rrezik për stabilitetin e botës, për lirinë dhe për vetë njerëzimin.

Ndërsa disa vende evropiane preferojnë diplomacinë dhe negociatat, duke kërkuar bisedime, ndonëse ato tash e më dekada nuk kanë sjellë asgjë. Këto dallime tregojnë një problem të rëndësishëm: mungesën e një strategjie të përbashkët brenda NATO-s.

Kur vendet anëtare kanë interesa dhe qasje të ndryshme, aleanca rrezikon të dobësohet dhe të humbasë ndikimin e saj ndërkombëtar. Këtë e deklaroi z. Trump në Uashington.

Megjithë rreziqet, NATO mbetet një faktor kyç për sigurinë globale, por për të qenë efektive duhet të ruajë unitetin. Shembuj si Ukraina tregojnë forcën e saj politike dhe ushtarake. Kjo gjendje është edhe rrezik. Qëndrimet ndaj Iranit po tregojnë dobësitë dhe raportet e tensionuara brenda NATO-s.

Prandaj, është e domosdoshme që SHBA dhe vendet evropiane të gjejnë më shumë pika të përbashkëta, në mënyrë që të ipet zgjidhje per Iranin, Ukrainën dhe të përballojnë sfidat globale ne bote” – deklaron ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme