Lajme

Kosova shpallet zyrtarisht vend i sigurt për azil nga BE-ja

Bashkimi Evropian ka miratuar zyrtarisht listën e vendeve të treta të sigurta, ku përfshihet edhe Kosova.

Vendimi u njoftua përmes një komunikate të Këshillit Evropian, i cili ka aprovuar dy akte të reja ligjore të cilat synojnë të forcojnë zbatimin e koncepteve të vendeve të sigurta në kuadër të rregullave të azilit.

“Sot, Këshilli ka miratuar qëndrimin e tij mbi dy aktet ligjore të BE-së, të cilat do të forcojnë zbatimin praktik të koncepteve kryesore mbi vendet e sigurta në rregullat e azilit të BE-së. Këto ligje të reja për migracionin synojnë të vendosin procedura më të shpejta dhe më efektive të azilit për ata që nuk duhet të marrin mbrojtje brenda BE-së”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, rregullorja e re rishikon konceptin e “vendit të sigurt të tretë” dhe zgjeron rrethanat në të cilat një kërkesë për azil mund të refuzohet si e papranueshme.

Po ashtu, BE ka miratuar për herë të parë një listë të përbashkët të vendeve të sigurta të origjinës, e cila është pjesë kyçe e Paketës për Migracion dhe Azil 2024.

Përveç Kosovës, vende zyrtarisht të sigurta janë cilësuar edhe Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia.

Qytetarët që vijnë nga këto shtete do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara të azilit, të cilat në shumicën e rasteve pritet të rezultojnë me refuzim të kërkesës ose me zhvendosjen e shqyrtimit të saj në një vend tjetër të sigurt.

Koncepti i “vendit të sigurt të tretë” i mundëson BE-së të refuzojë kërkesat e paraqitura nga persona që kanë kaluar ose mund të kishin kërkuar mbrojtje në një shtet tjetër të konsideruar të sigurt.

Rregullorja e re e zgjeron përdorimin e këtij mekanizmi, duke lejuar që shqyrtimi i kërkesës të kryhet edhe jashtë territorit të BE-së.