Gjenerali Ded Prenga komentoi gjatë mbrëmjes së djeshme që zhvillimet e fundit në rajon dhe rolin e administratës amerikane në stabilitetin e Ballkanit.
Ai vlerësoi se tani është siguruar stabiliteti pasi sipas tij administrata amerikane ka vendosur kufij të qartë për Beogradin dhe ka shmangur çdo mundësi për hapjen e një konflikti të ri në rajon edhe pse provokimet e vogla mbeten të mundshme.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Fidair Berisha.
Eksperti i sigurisë thekson se stabiliteti në Ballkan mbështetet kryesisht te gatishmëria e SHBA-së për t’i vendosur kufij të qartë Serbisë, e cila vazhdon të ketë aspirata ndaj Kosovës dhe mbetet burim potencial destabilizimi.
Sipas tij, vetë ndërhyrja amerikane tregon mungesë besimi ndaj qëllimeve hegjemoniste dhe politikave të Beogradit.

Fidair Berisha
“Deklarata e fundit e Gjeneral Prengës mbështetet në gatishmërinë dhe vullnetin e SHBA-së, e cila është garancia kryesore e stabilitetit në Ballkan, veçanërisht përmes vendosjes së “kufijve të qartë” ndaj Serbisë. Serbia nuk i ka shuar aspiratat e saj në raport me Kosovën dhe për këtë jemi dëshmitarë se ajo, në vazhdimësi, ndërmerr provokime dhe shihet si burim potencial destabilizimi.
Vetë fakti që SHBA-ja ndjen nevojën t’i vendosë kufij të qartë Beogradit tregon mungesë besimi të plotë ndaj politikave dhe qëllimeve hegjemoniste serbe”, u shpreh ai.
Tutje, ai thotë që administrata amerikane e sheh Serbinë si një aktor potencialisht destabilizues në Ballkan, ndaj kërkon monitorim të vazhdueshëm dhe vendosjen e kufizimeve të qarta politike e diplomatike për të garantuar stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
“Serbia, nga administrata amerikane, perceptohet si aktor që mund të dalë jashtë kornizave të stabilitetit nëse nuk frenohet me kohë. Bazuar në të kaluarën, ajo ka një histori veprimesh, duke përfshirë edhe retorikën në raport me Kosovën, ndaj kërkohet domosdoshmërisht monitorim dhe kontroll politik e diplomatik. Meqenëse SHBA e sheh Serbinë si një aktor problematik në Ballkan, ajo kërkon që Serbia të jetë e monitoruar dhe t’i vendosen kufizime të qarta që lidhen drejtpërdrejt me stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, thekson eksperti.
Në fund, Berisha shton që qasja amerikane ndaj Kosovës është mbështetëse dhe konstruktive, duke e parë atë si faktor stabiliteti të rreshtuar me SHBA-në dhe Perëndimin, nga i cili pritet maturi politike, koordinim me aleatët dhe shmangie e veprimeve që rrisin tensionet.
“Qasja amerikane në raport me Kosovën është konstruktive, ndërsa Kosova shihet si një projekt i mbështetur dhe i investuar veçanërisht nga SHBA-të dhe Perëndimi. Kosova, me institucionet e saj, pavarësisht sfidave, është në linjë me SHBA-në dhe Perëndimin, duke dëshmuar një qasje dhe bashkëpunim solid ndërkombëtar. Në raport me Perëndimin dhe SHBA-të, Kosova perceptohet më shumë si shtet që synon stabilizimin, duke u bashkërenduar për çështje dhe marrëveshje të mëdha që kërkohen nga faktori ndërkombëtar.
SHBA-ja dhe Perëndimi presin nga Kosova maturi politike, koordinim me aleatët dhe shmangie të çdo veprimi që mund të përshkallëzojë tensionet në vend”, përfundoi eksperti i sigurisë, Fidair Berisha për “Bota sot”.