Kosovës po i kërkohet vazhdimi i dialogut me Serbinë nga ndërkombëtarët. Presioni për dialogun është shtuar edhe më shumë tani, në kohën kur veni ynë është në prag të zgjedhjes së institucioneve të reja.
Që nga zgjedhjet e fundit të shkurtit të këtij viti, Kosova ende nuk ka zgjedhur institucionet e reja, ndërsa pritet të shkoj prapë në zgjedhje më 28 dhjetor.
Kësisoj, pritet të shihet se ҫfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve dhe vendimet që Kosova do të marrë në këtë drejtim.
Për 15 vite diskutime Kosova deri më tani ka respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë, derisa kjo e fundit nuk i ka respektuar ato. Duke shkelur marrëveshjet e nënshkruara, Serbia disa herë ka shkaktuar trazira në Kosovë, duke lënë pas edhe viktima.
Në këtë situatë në të cilën ndodhet Kosova, sa duhet t’i qëndroj Shqipëria afër dhe si janë aktualisht raportet me Kosovën?
Lidhur me këtë ҫështje për ‘Bota sot’, kanë folur njohës të fushës e politologë.
Berisha: Marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri janë shtyllë strategjike për sovranitetin e Kosovës
Kështu, Prof. dr. Fejzulla Berisha vlerëson se koordinimi politik dhe diplomatik me Shqipërinë e forcon pozicionin e Kosovës përballë presioneve ndërkombëtare dhe dialogut me Serbinë.
Sipas tij, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë aktualisht janë në një nivel të qëndrueshëm, strategjik dhe të koordinuar, duke reflektuar një vizion të përbashkët për stabilitetin rajonal, integritetin shtetëror dhe integrimin euro-atlantik të Kosovës. Kështu vlerëson Prof. dr. Fejzulla Berisha, i cili thekson se këto marrëdhënie nuk mbështeten vetëm në afërsinë historike dhe kulturore, por mbi nevojën për një koordinim të fuqishëm politik dhe diplomatik.

Prof. dr. Fejzulla Berisha
Sipas Berishës, bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve ka ndërtuar një front të përbashkët politik në arenën ndërkombëtare.
“Takimet e rregullta ndërqeveritare, koordinimi i deklaratave publike dhe mbështetja e ndërsjellë në forumet ndërkombëtare krijojnë një bazë të fortë për mbrojtjen e interesave shtetërore të Kosovës”, thekson ai.
Duke folur për aspektin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal, Berisha vlerëson se bashkëpunimi në fushën e sigurisë, menaxhimit të kufijve, energjetikës dhe infrastrukturës ndikon drejtpërdrejt në uljen e tensioneve dhe në rritjen e besueshmërisë ndërkombëtare të Kosovës.
“Çdo kompromis pa garanci të qarta politike dhe ligjore mund të rezultojë në humbje serioze për shtetin dhe qytetarët e Kosovës”, paralajmëron Berisha.
Në këtë kontekst, ai e konsideron rolin e Shqipërisë si vendimtar. Sipas tij, mbështetja e Tiranës i jep Kosovës legjitimitet shtesë në arenën ndërkombëtare dhe e forcon pozitën e saj negociuese.
“Deklaratat e qarta të Shqipërisë për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin e komunitetit ndërkombëtar”, shprehet Berisha.
Ai shton se koordinimi politik dhe diplomatik ndërmjet dy shteteve zvogëlon rrezikun e presioneve të njëanshme dhe rrit besueshmërinë e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Po ashtu, sipas tij, një bashkëpunim i dukshëm Kosovë–Shqipëri ndihmon në ruajtjen e unitetit publik dhe kombëtar shqiptar, duke fuqizuar mbështetjen e brendshme për politikat shtetërore.
Duke përmendur shembuj konkretë, Berisha thekson bashkëpunimin në projekte energjetike dhe infrastrukturore, si dhe rolin aktiv të Shqipërisë në nxitjen e njohjeve ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Prof. dr. Fejzulla Berisha vlerëson se marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri nuk janë thjesht tradicionale apo kulturore, por përbëjnë një shtyllë strategjike për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“Shqipëria nuk është vetëm aleat, por partner strategjik dhe faktor stabiliteti për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik”, përfundon ai.
Majkovci: Mbështetja e Shqipërisë mbetet bosht kyç për politikën e jashtme të Kosovës
Ndërkaq, politologu Fahredin Majkovci vlerëson se marrëdhëniet socio-ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë janë në rritje, ndërsa komunikimi politik kërkon rishikim dhe koordinim më të madh.

Fahredin Majkovci
“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë në rrafshin socio-ekonomik po shënojnë një trend të qëndrueshëm rritjeje, falë bashkëpunimit në fusha të ndryshme dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve ndërmjet dy vendeve”, kështu u shpreh politologu Fahredin Majkovci, i cili thekson se vitet e fundit janë krijuar baza të rëndësishme për një integrim më të thellë mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas Majkovcit, pavarësisht këtij progresi, ekzistojnë ende hapësira për përmirësim në mënyrë që të adresohen më mirë sfidat dhe nevojat aktuale. Ai shton se, në përgjithësi, drejtimi i marrëdhënieve socio-ekonomike mbetet pozitiv dhe në interes të qytetarëve të të dyja vendeve.
“Ndërsa sa i takon raportit politik ndërmjet dy vendeve, situata duket më sfiduese. Perceptimi publik është se komunikimi politik nuk është në nivelin e duhur dhe se dinamika e bashkëpunimit ndërqeveritar nuk është ajo që ishte në periudhën kur realizoheshin mbledhjet e përbashkëta. Kjo ka krijuar përshtypjen e një ftohjeje institucionale dhe, si rrjedhojë, mund të thuhet se marrëdhëniet politike nuk janë në nivelin e pritur”, thotë ai.
Majkovci vlerëson se perceptimi publik është se komunikimi politik nuk është në nivelin e duhur dhe se dinamika e bashkëpunimit ndërqeveritar nuk është më ajo e mëhershmja.
“Mungesa e mbledhjeve të përbashkëta ndërqeveritare ka krijuar përshtypjen e një ftohjeje institucionale”, shprehet ai.
Duke folur për presionin ndërkombëtar ndaj Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, politologu Majkovci potencoi se në këtë proces mbështetja e Shqipërisë është thelbësore.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për një strategji të re të politikës së jashtme, e cila do të përcaktojë qartë prioritetet integruese, qasjen ndaj dialogut dhe procesin e rritjes së numrit të njohjeve ndërkombëtare.
“Në këtë rrugëtim, marrëdhëniet e mira me Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera mike duhet të jenë boshti kryesor i angazhimit tonë diplomatik”, thekson Majkovci.
Ndër të tjera, ai nënvizoi se politika e jashtme është një fushë tejet komplekse dhe se, në rrethanat aktuale globale, Kosova duhet të veprojë me kujdes të shtuar, qartësi strategjike dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët e saj ndërkombëtarë.
“Politika e jashtme është një fushë tejet komplekse dhe, në rrethanat aktuale globale, Kosova duhet të veprojë me kujdes të shtuar, me qartësi strategjike dhe me koordinim të vazhdueshëm me partnerët e saj. Me pak fjalë, mbështetja e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet jashtëzakonisht e rëndësishme për ecurinë e Kosovës në përgjithësi, e veçanërisht për forcimin e pozicionit të saj në arenën ndërkombëtare dhe në proceset diplomatike”, përfundoi Majkovci për “Bota sot”.


