Pas më shumë se katër vitesh, vendi është pa kryeprokuror të shtetit me mandat të plotë, ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës ka sqaruar se propozimi i vitit 2022 për emërimin e kryeprokurorit nuk mbahet më për qëllime emërimi, pasi procesi nuk është finalizuar me dekret presidencial.
KPK thekson se kjo nuk përbën anulim të konkursit të kaluar, por synon të krijojë qartësi juridike dhe institucionale për zhvillimin e një procesi të ri, transparent dhe të bazuar në meritë.
Sipas KPK-së, pozita e kryeprokurorit ka mbetur pa mandat të plotë që nga prilli i vitit 2022 dhe është ushtruar vetëm nga ushtrues detyre, gjë që sipas Këshillit, ka krijuar pasiguri institucionale dhe ka ndikuar në funksionimin e sistemit prokurorial.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka rikujtuar se emërimi i kryeprokurorit të Shtetit realizohet në përputhje me kornizën kushtetuese dhe ligjore, përmes propozimit nga KPK-ja dhe emërimit me dekret nga presidenti i Kosovës.
Në kuadër të këtij sqarimi, KPK ka theksuar disa çështje kryesore, ndër to edhe se propozimi i vitit 2022 nuk u finalizua, pasi presidenti nuk nxori dekret për emërim dhe asnjë kandidat nuk fitoi mandatin zyrtar.
Emërimi i Kryeprokurorit bëhet nga presidenti i Kosovës, pas propozimit nga KPK-ja, sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Pozita ka mbetur pa mandat të plotë që nga prilli i vitit 2022, ndërsa detyra është ushtruar përmes ushtruesit të detyrës.
Më tej, në komunikatë thuhet se Komisioni Evropian, në raportet për Kosovën për vitet 2023, 2024 dhe 2025, ka kërkuar një proces të shpejtë, transparent dhe të bazuar në meritë për përzgjedhjen e kryeprokurorit.
Po ashtu, sipas KPK-së, partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, atë të Gjermanisë dhe OSBE-në, kanë kërkuar që procesi të jetë objektiv, i drejtë dhe transparent.
Ndërkohë, theksohet se organizatat vendore të shoqërisë civile kanë kërkuar vazhdimisht proces të ligjshëm dhe të bazuar në meritokraci.
KPK ka njoftuar se konkursi i ri për kryeprokurorin e Shtetit, i shpallur më 18 maj, do të mbetet i hapur deri më 10 qershor 2026, duke ftuar të gjithë prokurorët që plotësojnë kushtet ligjore, të aplikojnë.
