Lajme

KPM miraton Planin e Veprimit për monitorimin e fushatës zgjedhore 2025

Komisioni i Pavarur i Mediave sot ka miratuar Planin e Veprimit për zgjedhjet e përgjithshme 2025 në Kosovë.

Sipas KPM-së, ky plan paraqet aktivitetet që KPM planifikon t’i ndërmerr në bazë të mandatit ligjor të përcaktuar me Ligjin e KPM-së dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Në njoftimin e KPM-së thuhet se Plani i Veprimit është i ndarë në tri pjesë që përfshinë aktivitetet e planifikuara para fillimit të fushatës zgjedhore, gjatë fushatës zgjedhore dhe pas fushatës zgjedhore.

“Periudha para fushatës zgjedhore përfshinë aktivitetet e KPM-së në hartimin e Rregullores për sjelljen e mediave gjatë fushatës dhe heshtjes zgjedhore, si obligim i paraparë në Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo periudhë përfshinë edhe aktivitetet që kanë të bëjnë me komunikimin dhe sensibilizimin e të licencuarve të KPM-së me qëllim të njoftimit rreth obligimeve të mediave gjatë këtij procesi. Aktivitet tjetër në këtë periudhë është edhe ngritja e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të Zyrës së KPM-së”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se periudha gjatë fushatës zgjedhore deri në mbylljen e vendvotimeve do të përfshijë monitorimin dhe vlerësimin e pajtueshmërisë së të licencuarve të KPM-së.

“Periudha gjatë fushatës zgjedhore deri në mbylljen e vendvotimeve do të përfshijë monitorimin dhe vlerësimin e pajtueshmërisë së të licencuarve të KPM-së me legjislacionin në fuqi, si dhe vendimmarrjen e shpejtë në rast të shkeljeve të identifikuara.  Ndërsa, periudha pas zgjedhore do të fokusohet në prezantimin e të gjeturave nga monitorimi i të licencuarve gjatë periudhës zgjedhore. Në përgjithësi, zbatimi i Planit të Veprimit do të bëhet brenda një periudhe shtatë mujore, shtator 2024 – mars 2025”, thuhet ndër të tjera./teve1.info/