Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve për vendvotimet për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për rinumërim.
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, që nga fillimi i këtij procesi të martën, më 13 janar 2026, në ora 18:00, e deri sot, më 28 janar 2026, në ora 16:00, janë rinumëruar rreth 85 për qind e vendvotimeve, përkatësisht 2,156 nga gjithsej 2,557.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili bëri të ditur se deri më tani rinumërimi ka përfunduar në 32 komuna.
“Sipas të dhënave aktuale, kanë mbetur për t’u rinumëruar më pak se 401 vendvotime, të cilat u takojnë edhe gjashtë komunave të tjera”, ka njoftuar Elezi.
Ai shtoi se rezultatet e rinumërimit publikohen në mënyrë të vazhdueshme në platformën zyrtare të KQZ-së, në seksionin QNR > Rinumërim, pas përfundimit të numërimit për secilin vendvotim.

