Lajme

KQZ e gatshme për zgjedhje të reja

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje sot do ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentes, Vjosa Osmani për shpërbërjen e Kuvendit. Ajo duke e quajtur këtë dekret jokushtetues kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që sa më shpejt të vendosë masë të përkohshme.

Këto komente, kryekuvendarja Albulena Haxhiu i dha pas aktivitetit të shënimit të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas e organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore.

Vetëvendosje sot e dërgon dekretin e Osmanit në Kushtetuese

Video

“Tashmë pritet që grupi parlamentar i Vetëvendosjes ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese lëndën që ndërlidhet me dekretin jokushtetues të presidentes Osmani. Pres që Gjykata Kushtetuese të veprojë në përputhje me ndjeshmërinë e çështjes dhe të marrë shpejt së pari masën e përkohshme sepse pasojat do të jenë të pariparueshme, prandaj le ta presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese në raport me situatën aktuale”, tha ajo.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu tha se vendimi i presidentes për të shpërndarë Kuvendin ka qenë befasi për të dhe vendim i ngutshëm.

Sipas saj në rrethanat aktuale Kuvendi i Kosovës nuk mund të vazhdojë punën, dhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos të masë të përkohshme do të ndryshojnë rrethanat.

“Dekreti për shpërndarje të Kuvendit, vendim i ngutshëm”

“Nëse ka dekret për shpërndarje të kuvendit, kuvendi nuk mund të vazhdojë punën. Nëse Gjykata Kushtetuese do të marrë masë të përkohshme natyrisht që rrethanat do të ndryshojnë. Siç e dini ne kemi shumë punë për të bërë. Kuvendi është konstituuar në një kohë shumë të shpejtë pas certifikimit të rezultateve, kemi arritur që të votojmë marrëveshje ndërkombëtare shumë të rëndësishme, shumë marrëveshje ndërkombëtare të tjera na presin nëse kuvendi do të vazhdojë punën. Kemi arritur që të votojmë buxhetin për vitin 2026. Vendimi i presidentes për të shpërndarë kuvendin për mua ka qenë befasi sepse është jokushtetues, është i ngutshëm dhe natyrisht që si të tillë do ta kundërshtoj edhe si kryetare e kuvendit. Ju e dini që Kushtetuta e Republikës së Kosovës parasheh rrethanat se kur shpërndahet Kuvendi i Republikës së Kosovës, prandaj në këtë aspekt nuk ka asnjë rrethanë që i jep të drejtën presidentes që pa kaluar afati 60 ditor dhe pa dështuar në zgjedhjen e presidentit të vendit ta shpërndajë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Presidenca nuk është mbi Kuvendin e Kosovës prandaj mendoj që këtij vendimi nuk duhet t’i gëzohej asnjë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës sepse realisht është minim i punës së Kuvendit dhe minim i institucionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Duke iu bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës të braktisin format për pamundësim të konstituimit të Kuvendit, kryekuvendarja, Haxhiu tha se nw situatat aktuale nevojitet vigjilencë, vëmendje, shpejtësi dhe profesionalizëm nga Kushtetutesja.

Ajo bëri thirrje për të mos bërë presion karshi Gjykatës Kushtetuese.

Haxhiu iu bënë thirrje të gjithëve ta lënë Kushtetuesen të bëjë punën e saj

“Edhe një herë thërras Gjykatën Kushtetuese pa dashur që të kuptohet kjo si ndonjë ndërhyrje por situatat aktuale janë të tilla që nevojitet vigjilencë, vëmendje, shpejtësi, profesionalizëm nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe natyrisht thërras që të gjithë ta lënë Gjykatën Kushtetuese që ta bëjë punën e saj sepse jam e bindur që në rrethana të tilla gjykata mund të vendoset në presione nga kushdo prandaj është e rëndësishme që gjykata ta bëjë punën sa më profesionale dhe sa më shpejt. Sepse është e rëndësishme që kuvendi të vazhdojë punën. E ka përmendur edhe kryeministri atë ditë, pra kur unë e njoftova me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, për të cilën nuk kam pasur asnjë informacion më herët. Si kryetare e Kuvendit të paktën është dashur që të konsultohem në raport me një situatë të tillë. Unë në atë moment kam ngarkuar komisionin përkatës për buxhet që të merret me trajtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nga të cilat Kosova përfiton shumë”, tha kryetarja e Kuvendit.

Më 6 mars, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nxjerr dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Këtë vendim ajo e mori pasi një ditë më parë më 5 mars Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedh presidentin e vendit, ndërsa të nominuar ishin ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca dhe deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku.

Të Ngjashme