Mosmarrëveshjet për përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) janë thelluar, pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli të papranueshme kërkesën e presidentes Vjosa Osmani lidhur me emërimin e anëtarëve të këtij institucioni. Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës po vazhdojnë të kundërshtojnë njëra-tjetrën për të drejtën e anëtarit të dhjetë në KQZ, duke e lënë çështjen ende të pazgjidhur. Ndërkaq, nga Zyra e Presidencës nuk është bërë e ditur nëse do të emërohet anëtari i dytë nga radhët e PDK-së apo anëtari i tretë nga Lëvizja Vetëvendosje, çka sipas monitoruesve të proceseve zgjedhore ka shtuar pasigurinë institucionale rreth funksionimit të plotë të KQZ-së.
Gjykata Kushtetuese më 30 mars e ka shpallur të papranueshme kërkesën e presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Osmani ka kërkuar vlerësimin e “konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113” të Kushtetutës, përkatësisht në mes të saj dhe “grupeve parlamentare si trupa të Kuvendit të Kosovës” sa i përket emërimit të anëtarëve të KQZ-së.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, thotë për KosovaPress se partia e tij e konsideron të drejtë anëtarin e tretë në këtë institucion, duke u bazuar në rezultatin zgjedhor. Sipas tij, përfaqësimi në KQZ duhet të reflektojë fuqinë politike të dalë nga zgjedhjet, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e ndjekjes së rrugëve të tjera ligjore për ta mbrojtur këtë qëndrim nëse presidentja Osmani e emëron anëtarin e dytë të PDK-së.
Abrashi: LVV-së i takon anëtari i tretë në KQZ
“Argumentet tona qartazi janë të mbështetura me ligj dhe se anëtari i tretë në KQZ na takon neve, marrë parasysh edhe rezultatin që kemi marrë në zgjedhjet e fundit në Kosovë. Prandaj fuqia politike duhet të reflektojë në përbërjen e KQZ-së dhe kjo është baza në krejt ata që kemi argumentuar konform pozicionit tonë, andaj kërkojmë nga presidentja që të reflektojë ndaj kësaj kërkese…. Nuk përjashtohet as kjo mundësi që të ankohemi në Kushtetuese; ne do të mbrojmë të drejtën tonë dhe do të mbrojmë votën e qytetarëve pa marrë parasysh si manifestohet ajo. Në këtë rast manifestohet me anëtarin e tretë të LVV-së në KQZ, prandaj do të shfrytëzojmë të gjitha rrugët ligjore që mbrojmë të drejtën tonë të përfaqësimit, që ne mendojmë se na takojnë sipas ligjit”, deklaron ai.
Në anën tjetër, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, thotë për KosovaPress se presidentja Osmani qysh sot duhet ta emërojë anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ, duke paralajmëruar se çdo vonesë dëmton funksionimin demokratik të vendit.
Sipas tij, dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese nga presidentja ka qenë totalisht i panevojshëm. Ai ka rikujtuar se një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe në vitin 2021 dhe se vendimi i atëhershëm i gjykatës mbështet qëndrimin e PDK-së.
Gjoshi: Presidentja Osmani qysh sot të emërojë anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ
“Ka qenë totalisht e panevojshme kjo kërkesë e dërguar nga presidentja në Gjykatën Kushtetuese. E njëjta situatë ka qenë edhe në vitin 2021, kur ata e kanë dërguar një kërkesë, presidentja Osmani ngjashëm. Atëherë PDK-ja i ka pasur 19 mandate, kurse LVV-ja 58. Tash edhe kemi më shumë, kurse gjykata ia ka kthyer të njëjtën përgjigje. Ne presim që sot ose sa më shpejt që është e mundur që presidentja Osmani të emërojë anëtarin e dytë… Çdo ditë më shumë sesa sot që vonohet, ajo e dëmton rëndë demokracinë dhe bëhet palë në shkatërrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili edhe ashtu është shumë i dëmtuar kohët e fundit nga vendimet e qeverisë që janë evidentuar edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë… Nëse shohim shkeljet e vazhdueshme që ka bërë zonja Haxhiu me Kushtetutën dhe ligjet, unë mendoj se ajo nuk është personi i duhur që t’i lihet kjo vendimmarrje”, shton Gjoshi.
Ndërkohë, hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, e konsideron të nevojshme që pas vendimit të Kushtetueses presidentja Osmani të veprojë brenda afateve ligjore dhe të emërojë sipas tij përfaqësuesin e PDK-së në KQZ, para përfundimit të mandatit të saj.
Ai shton se, në rast të mungesës së një vendimi, kompetencat kalojnë te ushtruese e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e cila sipas tij duhet të ndjekë të njëjtin parim ligjor në emërim.
Pas vendimit të Kushtetueses për KQZ-në, këtë vendim duhet ta marrë presidentja Osmani, sipas Jakajt
“Ne presim që zonja Osmani të dekretojë anëtarin tjetër që vjen nga radhët e PDK-së dhe këtë duhet ta bëjë para datës 5 prill, kur asaj i skadon mandati. Në ndërkohë, një emërim të tillë mund ta bëjë ushtruese e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e cila i ka kompetencat e plota për ta ushtruar mandatin e saj. As ajo nuk duhet të emërojë edhe një anëtar që vjen nga LVV-ja, por duhet të emërojë nga radhët e PDK-së”, thekson ai.
Javën e kaluar, presidentja Vjosa Osmani ka dekretuar emërimin e nëntë anëtarëve të KQZ-së, siç e parasheh ligji.
Anëtarin e dhjetë Osmani nuk e ka dekretuar, sipas saj, pas dilemave kushtetuese dhe se partitë kishin bërë më shumë propozime sesa e parasheh ligji.
LVV kishte propozuar tre anëtarë, dy prej të cilëve janë emëruar, Alban Krasniqi dhe Violeta Salhiu, ndërkaq i propozuari i tretë, Njazi Isaku, nuk është emëruar. Ndërkaq, PDK-ja ka propozuar Ilir Gashin, i cili u dekretua si anëtar i kësaj partie në KQZ, kurse propozimi i dytë, Rashit Qalaj, nuk është dekretuar.
